Imer Selmani – konsull nderi i Shqipërisë në Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendim për hapjen e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë me seli në Manastir. Me vendim qeveritar më 8 janar të këtij viti, i cili është shpallur në Gazetën Zyrtare të RM-së është dhënë pajtueshmëri që Imer Selmani të emërohet konsull nderi i Shqipërisë në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

Vendimin e kanë konfirmuar për Portalb.mk. nga Qeveria, por edhe nga vetë Selmani.

Vendimin qeveritar do ta zbatojë Ministria e Punëve të Jashtme.

Përndryshe, nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë deri më sot në Manastir janë hapur 13 konsulle të nderit në aq shtete të Evropës. Prej tyre tre konsulle nderi (Kroacia, Britania e Madhe dhe Sllovenia) përkohësisht nuk punojnë, ndërkaq Republika e Bullgarisë në Manastir ka Konsull Gjeneral, ndërkaq Greqia ka hapur zyrë për marrëdhënie në këtë qytet.

Konsull nderi është shtetas i një vendi që caktohet nga një shtet tjetër, në këtë rast nga Maqedoni që të kryejë për të disa funksione konsullore si detyrë nderi e pa shpërblim.

Konsullët e nderit zakonisht janë biznesmenë të suksesshëm. Ata e përfaqësojnë vendin, në këtë rast Maqedoninë, atje ku ajo ka përfaqësim të vogël ose ndikim, por ka kontakte të mira me autoritetet dhe biznesmenët e vendit që e kryejnë funksionin.

Kush është Imer Selmani?

Imer Selmani është politikan shqiptar nga Maqedonia, biznesmen, ish zëvendëskryeministër dhe ministër i Shëndetësisë. Ka diplomuar në Fakultetin e Medicinës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Jeton në fshatin Shishovë të komunës së Sarajit. Ai është themelues i partisë Demokracia e Re, e cila tani nuk është aktive, ndërkaq në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009 ka kandiduar për president të Maqedonisë.