Hristijan Mickoski e publikoi kandidaturën për lider të VMRO-DPMNE-së


Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk pasdite e publikoi kandidaturën për kryetar të partisë.

Kongresi për zgjedhjen e liderit të ri të VMRO-DPMNE-së do të mbahet nesër dhe pasnesër në Vallandovë.

“Në periudhën e kaluar një pjesë e madhe e anëtarësisë së VMRO-DPMNE-së, anëtarë të strukturës partiake, anëtarë të komiteteve komunale dhe rajonale, por edhe një numër i madh i qytetarëve të rëndomtë më shprehën mbështetje dhe inkurajim që të ndërmarr hap. Edhe unë, me mendim të pastër, me besim të madh, dhe me zemër të hapur do ta pranoj përgjegjësinë që të dorëzojë kandidaturë për kryetar të VMRO-DPMNE-së i cili do të do të zgjidhet në kongresin e 16-të në Vallandovë”, shkroi Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.

Mickoski mes tjerash shkroi:

“Asnjëherë, asnjëherë nuk do të dorëzohemi”, thoshte Çerçil. Dhe ashtu është. Për një periudhë Republika e Maqedonisë është duke kaluar nëpër stuhi serioze, e përcjellë me sfida serioze, në planin ekonomik, politik, shoqëror. Maqedonia është përfshirë nga një krizë permanente politike, fundi i së cilës nuk shihet, ekonomi e cila është në duar të qelqta, afarizëm i vogël i cili është në fazë të vdekjes klinike, shëndetësi për të cilën në opinion flitet vetëm kur shënohen jetë të shkatërruar njerëzish, të rinj të cilët nuk kanë shpresë, kulturë në të cilën ndarjet dhe rrënimi po bëhet imperativ kryesor, në llogari të premtimeve të dhëna të cilat nuk përmbushen. Shikoni, në shoqëri nuk flitet për problemet reale, për ekonominë, për konceptet të cilët do ta çojnë shtetin përpara, por për këtë arsye pushteti përplaset me opozitën, revanshizmi politik bëhet alfa dhe omega në veprimin politik. Ndërsa qytetarët kërkojnë dalje. Pyetja kryesore e cila mbërrin këtyre ditëve deri tek unë është çka tani?

Kjo për mua personalisht është një nga vendimet më serioze në jetë, plotësisht duke e kuptuar peshën, nderin, por edhe përgjegjësinë që të udhëhiqet partia. Asnjëherë në jetë nuk kam ikur nga sfida, ndërsa ky, ndoshta është problemi im më i madh, dhe unë këtë e pranoj. Si njeri mund të zgjidhja të mbetem profesor në fakultetin tim, ose madje të vazhdojë të punoj dhe krijoj në sferën shkencore ku kam kaluar punë shumëvjeçare, por si qytetar i këtij vendi nuk mund të qëndroj indiferent i përditshmërisë së dhimbshme të qytetarëve të Maqedonisë, të nevojave të tyre reale”, shkroi Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk