Heshtje për kompletimin e kabinetit qeveritar


LSDM dhe Qeveria e Zoran Zaevit vazhdojnë të heshtin në lidhje me negociatat e mundshme me partitë tjera politike të cilat mund të jenë pjesë e Qeverisë, për të plotësuat postet e zbrazëta nga dalja e Aleancës për Shqipëtarët. Të pyetur nga TV SHENJA, nëse kryeministri Zaev ka filluar negociatat me partitë tjera jashtë shumicës parlamentare, nga Shërbimi për Informim i Qeverisë thonë se për këtë çështje duhet të prononcohen partitë politike. Mirëpo, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleaksandar Kiracovski, ishte i pakapshëm.

Ndërkohë, burime të tjera brenda LSDM-së thonë se për momentin nuk dihet asgjë konkrete, dhe se nuk mund të konfirmohen aspak informatat që ditëve të fundit po spekulojnë nëpër media.

Madje, pas dorëheqjeve të funksionerëve të Aleancës për Shqiptarët, kryeministri Zoran Zaev, mohoi se bisedon me ndonjë parti konkrete, por nënvizoi se ai dëshiron që të ketë një shumicë parlamentare stabile me 65 deputetë.

Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, tha për TV SHENJA-n se edhe krahas mungesës së votave të Aleancës për Shqiptarët në Kuvend, koalicioni qeveritar sërish ka 61 vota, duke përfshirë këtu Vesel Memedin, si dhe votat e deputetëve të cilët u prononcuan si të pavarur. Megjithatë, Tuntev tha se akoma nuk janë të sigurt nëse do të kenë kuorum në seancën e cila duhet të mbahet më 15 janar.

Kujtojmë që në deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, një ditë pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria, ai deklaroi se fillimisht do të bisedojnë edhe me partnerët më të vegjël të koalicionit. Por, se zgjedhja e zëvendës ministrave të rinj dhe sekretarit shtetëror do të bëhet më 15 janar, kur sipas Zaev do të kompletohet i gjithë kabineti qeveritar.

Pas largimit nga Qeveria e partisë së Selës, shumica parlamentare mbetet me dy deputetë më pakë, ndërsa Qeveria do të duhet të plotësojë 12 funksionerë të rinj, prej të cilëve, 3 zëvendësministra, një sekretar shtetëror dhe tetë drejtorë. Emine Ismaili /SHENJA/