Hapat e ardhshëm drejt NATO-s: Maqedonia e veriut së shpejti anëtarja e 30-të


Protokolli për anëtarësim të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO shkon me dinamikë të mirë, në qershor presim ta ratifikojë Senati amerikan dhe jam i sigurt se që këtë vit, ne edhe formalisht do të bëhemi anëtare e barabartë e Aleancës, theksoi sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në hapjen e Seminarit të posaçëm dyditor “Hapat e ardhshëm drejt NATO-s” që po mbahet me mbështetje të Qendrës amerikane Xhorxh C. Marshal.

Xhaferi, siç tha, beson se “në samitin e NATO-s në Londër në dhjetor, flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të valojë në shtizë së bashku me flamujt e tjerë të anëtareve të Aleancës si anëtarja e 30-të”. Shfaqi shpresë se gjithashtu vitin e ardhshëm do t’i fillojmë edhe negociatat për integrim në BE.

Duke folur për bashkëpunim më efikas të vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, kryetari i Parlamentit përkujtoi se në fillim të qershorit në Shkup do të vijnë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe anëtarët e Këshillit veriatlantik.

“Mendoj se kjo ardhje e parë e Këshillit veriatlantik, në krye me sekretarin e përgjithshëm, nuk është vetëm vizitë protokollare apo kurtoazie, por para së gjithash ka rëndësi thelbësore që i përket veprimit tonë të ardhshëm si anëtare e NATO-s”, tha Xhaferi duke shfaqur bindje se edhe ky seminar do të japë udhëzime dhe ide mjaft konkrete për hapat tanë të ardhshëm në NATO si anëtare e barabartë e cila është e vetëdijshme për obligimet e veta ndaj Aleancës dhe ndaj të gjitha anëtareve të saj.

Xhaferi foli për rolin e Kuvendit në këto procese duke potencuar se reformat duhet të vazhdojnë dhe se Parlamenti duhet të punojë në përforcimin e procesit ligjdhënës përmes transparencës më të madhe të vet, dhe përfshirjes së opinionit ekspert dhe sektorit joqeveritar, por edhe të rolit mbikëqyrës që të shihet nëse dhe si implementohen ligjet.

Procesi i ratifikimit të protokollit për NATO në SHBA është në rrjedhë, informoi ushtruesja e detyrës ambasadore amerikane në Shkup, Mikaela Shvajcer – Bllum.

“SHBA-ja dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut së shpejti si anëtaren e 30-të të NATO-s. Kur kjo të ndodhë ne nuk do të jemi partnerë por do të jemi aleatë, do të vendosim marrëdhënie më të thella dhe përkushtim të ndërsjelltë”, tha Shvajcer – Bllum.

Në Maqedoninë e Veriut, siç tha, për disa ditë do të mbahet  stërvitja ushtarake “Goditja vendimtare”, një nga stërvitjet më të mëdha që nga pavarësia.

Për ambasadorin gjerman, Tomas N. Gerberih kjo është një ditë mjaft e rëndësishme duke pasur parasysh se pritet publikimi i Raportit të KE-së për përparimin e vendit dhe pret të marrim rekomandim të qartë për fillim të negociatave për hyrje në Union. Gerberih edhe njëherë e potencoi  mbështetjen që Gjermania ia jep Maqedonisë së veriut për integrimin në NATO dhe BE, duke potencuar me atë rast përparimin që vendi e arriti gjatë dy viteve të fundit dhe posaçërisht nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, duke bërë, siç tha, dallim të madh në krahasim me vendet e rajonit.

Gerberih thotë se procesi reformues duhet të vazhdojë dhe të thellohet, të tejkalohet ndarja etnike, që për të është e mundur pas zgjedhjes së Stevo Pendarovskit për president të vendit, duke pasur parasysh moton e tij në fushatë. Por, thotë ai, në reformat duhet të fokusohen të gjithë në vend.

Seminari i posaçëm “Republika e Maqedonisë së veriut – Hapat e ardhshëm drejt NATO-s” pritet të jetë një lloj përgatitje për atë që do të pasonte pas hyrjes së vendit në Aleancë. Mbahet në prag të vizitës së Stoltenbergut dhe të anëtarëve të Këshillit veriatlantik të NATO-s në Shkup, por edhe të stërvitjes ushtarake “Goditja vendimtare”, që duhet të fillojë më 5 qershor.