Hahn: Shqipëria dhe Maqedonia të nisin sa më shpejt negociatat për anëtarësim


Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn ka deklaruar gjatë një takimi me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias se bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian duhet të hapen sa më shpejt. Hahn e vuri theksin veçanërisht tek përmbushja e reformave dhe rezultate konkrete, të cilat sipas tij shpejtojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që hapja e negociatave të bëhet sa më shpejt dhe pastaj procesi të marrë të gjithë kohën e nevojshme. Nga ana tjetër, për rastin e vendit tonë, ai u shpreh se prioritet duhet të ketë reformimi i administratës publike, në mënyrë që Shqipëria të përgatitet për anëtarësimin në familjen evropiane.

“Prandaj fillojmë dhe mbarojmë me shtetin e të drejtës. Të fillojmë sa më shpejt, por të marrim aq sa kohë nevojitet për finalizimin. Prandaj dua të fillojnë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, u shpreh komisioneri Hahn. Më tej gjatë fjalës së tij, Johannes Hahn nënvizoi se Greqia është një partner kyç për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për fqinjësinë e mirë. Po ashtu ai deklaroi se në shkurt të vitit të ardhshëm Komisioni Evropian do të publikojë strategjinë për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Unioni duhet të bëjë një ristartim të procesit të zgjerimit, duke i bindur edhe vendet vakante, edhe vendet anëtare se integrimi evropian i vendeve të rajonit është në interes të të dy palëve. 2018 është një vit kritik dhe një shans për të gjithë. Duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi cilësisë. U shpjegoj liderëve me të cilët takohem se BE nuk është një arkë fiskale, por është dhe një sërë vlerash, respektimi i të cilave shpie në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin”, vijoi më tej komisioneri Johannes Hahn.