Grubi: Na duhet Maqedonia ëndërr, e jo makth

Sot kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, mori pjesë në Konferencën me temë: “Rruga e Republikës së Maqedonisë – fillim i ri, kthimi në rrugën e BE-së dhe shembull për ndërtimin e raporteve të mira në rajon”, në organizim të Institutit Progres për Demokraci Sociale.

Fjalim hyrës në kornizat e panelit të parë kushtuar reformave dhe politikave për ndërtimin e besimit në Maqedoni kishin Grubi së bashku me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Sasho Ordanovski, analist politik.

Fjalimi i plotë i kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Artan Grubi.

Të nderuar organizatorë, të nderuar mysafirë, Kryeministër, zonja dhe zotërinj,

11 dhjetori 2016 paraqet një leksion shumë të madh dhe shumë të dobishëm politik dhe jetësor për të gjithë ne, për partitë politike, mediat, organizatat joqeveritare, qytetarët, dhe në përgjithësi për të gjithë shoqërinë tonë.

11 dhjetori dikujt ia tregoi kartonin e kuq, të dytëve ua tregoi kartonin e verdhë, të tretëve u dha paralajmërim, të katërtëve mundësi për një fillim të ri, të pestëve ua ndau tërfilin me katër gjethe, etj. Por kjo megjithatë është perspektivë në aspekt të faktorëve politikë.
Por, mbi të gjitha, dhe më e rëndësishmja, 11 dhjetori i dha mundësi Maqedonisë dhe duhet ta shfrytëzojmë në çdo mënyrë të mundshme. Ne, bashkërisht, duhet t’i ndihmojmë shtetit tonë.

Megjithatë, më lejoni të bëj një retrospektivë esenciale nga këndvështrimi im që t’i kuptojmë më lehtë porositë e 11 dhjetorit.

Në prill 2014, morëm mbështetje maksimale nga qytetarët e shndërruar në 20 deputetë, por në ditën e njëjtë ish-opozita, e sot në pushtet, nuk i pranoi zgjedhjet dhe shpalli kthim të mandateve.

Menjëherë pas zgjedhjes së ish-qeverisë, erdhi aktgjykimi i kontestuar për rastin Monstër, gjë që nxiti protesta të dhunshme të drejtuara kah ne. Dhe ato që protestuan u dënuan. Pastaj, situata të ngjashme kishim me protestat në Gjorgje Petrov ku kishte sjellje të dhunshme ndaj pronës dhe jetës së personave, por atje nuk u arrestua askush.

Vazhdoi procesi i ndryshimeve të kontestueshme kushtetuese, Qeveri e bombarduar, bomba të shpërthyera para stacioneve policore në Tetovë, Kumanovë, para selisë së BDI-së, kërcënime të vazhdueshme, që të vijë deri te Shkurti dhe paraqitja e Boshko Buha i cili qëndron pranë meje sot si Kryeministër, e të cilin dje e nënvlerësonin.
Bombat hidheshin, kriza thellohej, ne kishim kongres partiak, e pastaj ndodhi Goshincë, dhe filluan negociatat për krizën e bombardimeve për lirimin e shtetit të robëruar, dhe ndodhi ngjarja tragjike në Lagjen e trimave, pastaj në mënyrë të mundshme erdhëm te Marrëveshja e Përzhinos, e deri te Aneksi, dhe në gusht të vitit 2015 filluan bisedimet për implementimin e marrëveshjes, zgjedhja e PPS më 15 shtator, pastaj Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pastaj shpërndarja dhe kthimi i Kuvendit të shpërndarë, prolongimi i zgjedhjeve në prill, pastaj abolicioni skandaloz, pastaj revolucioni i larmë, dorëheqja e 12 ministrave të BDI-së brenda një dite dhe zëvendësimi i tyre, e pastaj përsëri prolongim të zgjedhjeve nga muaji qershor dhe kthimi i Kuvendit të shpërndarë për të dytën herë me vendim të Gjykatës kushtetuese, pastaj rishitja e materialeve të përgjuara në tregun e zi dhe shantazhe, publikimi i bisedave private në rrjetet sociale, pastaj fillimi i negociatave të reja e deri te vlerësimi se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve, pastrimi i listës së zgjedhësve, trupi mediatik ad hok, e deri te zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016.

E bëra shkurtimisht dhe në mënyrë taksative këtë retrospektivë, fillimisht, që të mos harrohet e vërteta nëpër të cilën kemi kaluar bashkë, dhe së dyti të ndihmohet në nxjerrjen e konkluzioneve pse dikush mori karton të kuq, të verdhë, ose mundësi të re më 11 dhjetor.

Nga pikëpamja e sotme, mundet me komoditet të komentojmë rreth asaj kush, si dhe në çfarë mënyre i ka lexuar porositë e qytetarit më 11 dhjetor.

Sikur mos të ishte tërë kjo e mjaftueshme për demokracinë tonë vunerabile, saga vazhdoi edhe pas 11 dhjetorit, me seancën e pafund konstitutive të Kuvendit, me mandatin e ndarë në mënyrë joligjore, me negociata, në thojza, të cilat ishin çdo gjë vetëm jo negociata, me kthimin e mandatit pas vendimit të BDI-së mos të bëjë kualocion me VMRO-në, me një muaj amortizim që të kuptohet dhe pranohet realiteti dhe vendmi i ri i BDI-së, pastaj me qasjen në ndryshim, në zbatimin e dëshirës së popullit, deri në ditën kur pas gjakut të derdhur, thithjes së lotsjellësit, përjetimit të dhunës, në Maqedoni u lind dielli i ri i ndryshimit, i barazisë, i ardhmërisë.
Por, e di se nga pikëpamja e sotshme, nëse të gjithë ne ndalemi për një çast dhe e analizojmë tërë këtë nëpër të cilën kaluam dhe e krahasojmë me padurimin tonë, jam i sigurtë se do të kemi mirëkuptim më të madh për komentet e kohës me lehtësi të madhe për kinse zvarritjen që në fakt ishte vetëm një tranzicion njëmujor për amortizimin e reagimeve.

Më lejoni t’ju them, këtu, para jush, se së bashku me kryetarin Ahmeti shkuam në Tiranë, 2-3 ditë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Një kohë të gjatë biseduam rrugës si dhe gjatë kohës së qëndrimit.

Të dy ishim të një mendimi dhe të një opsioni të vetëm për rrugën që qëndron çara nesh, rrugën e reformave, rrugën e Maqedonisë Euroatlantike dhe të barabartë.
Dhe u bë, Republika e Maqedonisë fitoi qeveri të re reformatore e cila duhet të vendos institucione demokratike që do të garantojnë sundimin e së drejtës dhe të cilave do t’u besojnë qytetarët. Duhet të jetë RRËFIM I SUKSESSHËM.

Që të jetë rrëfim i suksesshëm, Maqedonisë i nevojiten plotësisht medie të pavarura, por edhe medie të përgjegjshme shoqërore, organizata joqeveritare aktive dhe, një shoqëri e përfshirë, bashkësi e zgjuar dhe e angazhuar akademike, mekanizma kontrolluese aktive, gjykatës dhe prokurorë të cilët nuk i orienton era, por fjala e së drejtës dhe drejtësia.

Detyra jonë është të angazhohemi që t’i mundësojmë kushtet që tërë kjo të funksionojë pavarësisht nga kontrolli ynë si politikanë.

Detyra jonë është të luftojmë edhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar sepse një lider dhe politikan i korruptuar paraqet rrezik të sigurisë për përcaktimet gjeostrategjike të shoqërisë.
Këto i kemi detyrat tona të cilat duhet t’i kryejmë jo vetëm para qytetarëve tanë, por edhe para miqve tanë të bashkësisë ndërkombëtare.

Njëkohësisht, me përkushtim, me guxim, me patriotizëm dhe me dinamikë të madhe i përkushtohemi mënjanimit edhe të pengesave tjera në rrugën tonë drejt Brukselit përmes ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe masave për besim dhe tejkalimin e kontesteve dhe mosmarrëveshjeve, por duke mos e harruar finalizimin e pjesës normative të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Jo rastësisht i përmend pikërisht këto procese të rëndësishme për Republikën e Maqedonisë. Sepse, kjo është Maqedonia e orientuar drejt ardhmërisë, kjo është Maqedonia e sotme të cilën të gjitha duhet ta shikojmë. Maqedonia me institucione demokratike, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe Maqedonia e zgjidhur nga problemet ndëretnike.

Andaj me përgjegjësi pohoj se viti 2018 është vit i Republikës së Maqedonisë, i Maqedonisë së barabartë dhe Maqedonisë euroatlantike.

Me Kryeministrin Zaev, para 10 ditëve jo të plota u kthyem nga Brukseli. Secili me mbledhje të ndryshme, por agjendë të përbashkët dhe të vetme, e ndërtojmë bashkërisht ardhmërinë evropiane të Maqedonisë. Në Bruksel, si asnjëherë deri më tani flitet për ne, ekziston një rrëfim i ri i cili rrëfehet për Maqedoninë dhe porositë pozitive dhe dinamika në reformat të cilat ne do t’i japim mund të jenë argumente për përforcimin e mbështetjes nga qytetarët në BE për avancimin e procesit të aderimit.

Maqedonia duhet t’i bashkëngjitet bllokut të vendeve të cilat do të hyjnë në Strategjinë për zgjerim deri në vitin 2025. Për realizimin e këtij qëllimi duhet të ndërtojmë agjendë dhe qartë ta përcaktojmë përkushtimin e shtetit në përmbushjen e kritereve për anëtarësim, si dhe të kërkojmë mbështetje të qartë nga Komisioni Evropian në përmbushjen e kësaj agjende.

Bashkimi Evropian na nevojitet për më shumë arsye, pse kjo është kështu? Sepse kufijtë janë pakuptim, dhe pikërisht te ne u dëshmua se si keqpërdoren. Ngritja e mureve ndaj botës që të fshihemi nga shikimi i përshkueshëm, për anarki dhe shkelje nuk janë njerëzore nga ana e të privilegjuarve. Për një kohë të shkurtër do të qeshemi me përqindjet dhe numrat, cila gjuhë sa përdoret, si dhe kujt i kanë ndarë pjesë ma të madhe të tortës. Njerëzit duan t’i flasin të gjitha gjuhët dhe secili të kuptohet me tjetrin. Dyer të hapura, mendje të hapur, krah të energjive kreative të lirisë së zgjedhjes.

Afirmimi i njerëzve me atë që janë, e jo atij kujt i takojnë. Ka mjaft rrafshe dhe male për ndërtimin e qyteteve dhe vendeve të reja për të gjithë. Kur Toka shihet nga kozmosi një është. Fotografi pa kornizë. Shlyerje e gjithçkaje që kufizon. Në BE vendkalimet kufitare qëndrojnë si përmendore të së kaluarës.

Ja, kështu duhet të duam, ku duam, kë duam dhe kur duam.
Duhet shumë punë, të gjithë duhet të jemi të palodhshëm gjatë përmbushjes së një shteti të këtillë. Ne si shumicë parlamentare, Qeveria e re reformuese kemi vendosmëri të qartë gjatë përmbushjes dhe dhënies së këtyre rezultateve. Pres që edhe opozita të vazhdojë të veprojë në Kuvend, t’i përkrah dhe të bëhet pjesë e zgjidhjeve reformuese me çka do të dërgohen rezultate të dukshme në Bruksel, me qëllim të marrjes së rekomandimit të pastër dhe datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Na duhet Maqedonia e bashkuar, na duhen autoritete të cilat do të mbledhin, bashkojnë, mobilizojnë, të cilat do të jenë humanë dhe fisnikë. Na duhet gjumë, në vend të pagjumësisë dhe njerëz që kanë ëndrra, në vend të atyre që shikojnë tjetrit t’ia shkatërrojnë. Na duhet lëvizje dhe hap i cili për ndryshim nuk do të jetë në të kot dhe mbrapa. Nuk ka zgjidhje tjetër, kjo është Maqedonia e orientuar drejt ardhmërisë.

Të nderuar, demokracia nuk e duron improvizimin.
Nuk mundemi dhe nuk guxojmë ta mashtrojmë demokracinë, nuk mundemi dhe nuk guxojmë të aktrojmë proces.
Nuk ka demokraci nëse kontrollohet gjyqësori, nëse kontrollohet sektori civil, komuniteti akademik, mediet, trupat kontrolluese, nëse asetet shtetërore shfrytëzohen në favor të programit partiak, nëse punësimet bëhen sipas çelësit partiak.

Literatura franceze atë e definon si demokraturë, ndërsa tek ne ajo rimohet me diktaturë, kjo nuk guxon të lejohet!