Gjuriq: Serbia do ta mbrojë popullin e vet në Kosovë


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të cilit pas arrestimit më 26 mars në veri të Mitrovicës dhe dëbimit nga Kosova i është vazhduar edhe për tre muaj mandati për të udhëhequr me Zyrën Serbe për Kosovën, ka siguruar serbët se Serbia do t’i mbrojë ata në çfarëdo rrethane dhe në çdo kohë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ai, duke marrë pjesën në meshën për Pashkët Ortodokse në manastirin në Banjskë të Zveçanit, tha se Serbia gjithmonë do të jetë përkrah popullit të vet në Kosovë.

“Ne serbët në numër jemi pak, por jemi të guximshëm dhe popull liridashës dhe do të mbesim këtu në Kosovë, do të dimë si Serbi që ta mbrojmë popullin tonë në Kosovë, sepse këtu në Kosovë që më shumë se 1000 vjet po e ndërtojmë identitetin e tërë popullit serb. Është ndërtuar në të kaluar, ndërtohet tani e do të ndërtohet edhe në të ardhmen. Serbia do të dijë si ta mbrojë popullin e vet në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.
Dukshëm me fjalë më të buta sesa para arrestimit të tij më 26 mars në veri të Mitrovicës, kur kishte hyrë pa leje të autoriteteve të Kosovës, Marko Gjuriq, tha se po punojmë për një të ardhme më të mirë të serbëve të Kosovës.

Por, Gjuriq vetëm pak kohë para se të arrestohej ishte zotuar se veriu i Kosovës kurrë nuk do të jetë pjesë e shtetit të pavarur të Kosovës, shkruan më tutje “Zëri”.

“Dëshiroj që edhe nga këtu, nga Mitrovica e Kosovës, të dërgojmë mesazh të qartë se Kosova dhe Metohia, veriu i Kosovës dhe Metohisë kurrë nuk do të jetë pjesë e së ashtuquajturës Kosovë e pavarur e as pjesë e së ashtuquajturës ‘Shqipëri e Madhe’. Projekte të tilla dhe të ngjashme i përkrahin vetëm ata të cilët dëshirojnë konflikte nëpër këto hapësira, ata të cilët nuk dëshirojnë që popujt të cilët jetojnë në këto hapësira të merren vesh dhe fëmijët e tyre në të ardhmen të jetojnë në paqe dhe të mos brengosen se a do të lëvizin të lirë, pa brenga, se a do arrestohen nëse kanë mendim politik ndryshe”, pati thënë Gjuriq.