Gjithçka gati rreth Protokollit për NATO

Përfundojnë aktivitetet rreth përgatitjes së protokollit inkuadrues për anëtarësim në NATO, pasi pas zbatimit të procedurës në Kuvendin e Maqedonisë, javën e kaluar, Marrëveshja e Prespës kaloi edhe në Parlamentin grek dhe shumë shpejtë gjatë fundjavës u publikua në Gazetën zyrtare të Greqisë.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, “Jens Stoltenberg, deklaroi se protokolli inkuadrues për hyrjen e Maqedonisë në NATO do të nënshkruhet së shpejti, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

“Do ta nënshkruajmë protokollin inkuadrues në NATO dhe këtë mund ta bëjmë së shpejti.Për ratifikim do të duhet më shumë kohë, gjithçka varet prej 29 parlamenteve”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, është e mundur që tashmë gjatë kësaj jave, ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s ta nënshkruajnë protokollin. Kjo do të thotë se Maqedonia do të marrë pjesë si vend vëzhgues në të gjitha formatet kyçe të takimeve të Aleancës, por anëtare e plotfuqishme do të bëhet vetëm pasi të gjitha 29 parlamentet do ta ratifikojnë protokollin inkuadrues.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dje edhe me shkrim e ka njoftuar ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov se është duke u përgatitur Protokolli për anëtarësim i cili është paraparë që së shpejti të nënshkruhet nga ana e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve- anëtare të Aleancës pas çka do të pasojë edhe ftesa deri te Dimitrovi për pjesëmarrje në ceremoninë e nënshkrimit të Protokollit.

“Me nënshkrimin e Protokollit për anëtarësim fillon faza e ardhshme e procesit të anëtarësimit, pas çka vijon ratifikimi i Protokollit në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të Aleancës”, sqarojnë nga MPJ e Maqedonisë.

Përndryshe, shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov., dje në tribunë në Shkup në të cilën mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Linas Linkevipius, gjithashtu deklaroi se Maqedonia këtë javë apo në fillim të javës së ardhshme do ta nënshkruajë Protokollin për NATO.

“Këtë javë apo në fillim të javës së ardhshme duhet të nënshkruhet Protokolli për NATO. Pastaj ai duhet të kthehet në Parlamentin grek për ratifikim. Shpresoj se pastaj të gjithë miqtë tanë, ndërsa mes të parëve është Lituania, do ta ratifikojnë Protokollin në kuvendet e tyre. sapo të ratifikohet në Parlamentin grek do ta marrim ulësen në Aleancë. Dhe atëherë hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese dhe dispozitat e tjera të Marrëveshjes së Prespës”, tha Dimitrov në tribunën në MPJ të organizuar nga Info Qendra për integrimet euroatlantike.

Ai theksoi se shpreson që ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska për herë të parë do të marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes më 13 dhe 14 shkurt në Bruksel, ndërsa ai si ministër i Punëve të Jashtme në prill në Takimin Ministror të NATO-s në Uashington.

Ministrja Shekerinska gjatë vizitës së djeshme në Valandovë e shprehu pritjen se në dy javët e ardhshme shteti do të bëhet me ulësen e saj në Aleancë.

“Treguam se vendimet e mëdha i sjellin të mira popullit dhe qytetarëve dhe se e larguam pengesën e fundit e cila e pengonte shtetit me vite dhe e morëm hyrjen praktike në NATO. Pres në dy javët e ardhshme Maqedonia të merr ulësen e vet në NATO dhe pres ajo të ketë reagime pozitive edhe në biznesin vendor dhe në interes të investimeve të huaja”, ka thënë Shekerinska.

Shefi i diplomacisë lituaneze Linas Linkeviçius dje në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij nga Maqedonia Nikolla Dimitrov, siguroi se Lituania do të jetë mes vendeve të para që do ta nënshkruajë Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë në NATO me çka do të mundësohet edhe rrethimi i Marrëveshjes së Vilnusit nga viti 2000 si Deklarata për mbështetje të ndërsjellë dhe solidaritet në integrimet euroatlantike, sepse Maqedonia është shteti i fundit nga ky grup që tani hyn në Aleancë.

Në ndërkohë, Parisi zyrtar u bashkëngjit drejt BE-së dhe NATO-s, SHBA-së dhe shumicës së vendeve të cilat e përshëndetën ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga ana e Parlamentit grek. “Votimi i Marrëveshjes së Presës është shembull për guximin dhe unitetin e Evropës”, shkroi presidenti francez Emanuel Makron ai në Tuiter.