Frenat teknikisht të parregullta dhe shpejtësia e madhe arsyet kryesore për aksidentin e autobusit në Llaskarc


Frena teknikisht të parregullta të autobusit dhe shpejtësia mbi normat e lejuara janë arsyet për aksidentin në Llaskarc, për shkak të së cilit PTHP-Shkup ka kërkuar procedurë kundër gjashtë personave, të cilët janë të dyshuar për “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa për personin e shtatë në vijim është procedurë penale për “punë të pandërgjegjshme në shërbimin”, pasi ka dhënë konfirmim se takometri në autobus ka qenë krejtësisht i rregullt, pa i bërë kontrollet e domosdoshme.

Këtë e theksoi prokurori publik Sasho Rajçev sot në pres konferencë, duke potencuar se shtatë personat janë arrestuar dhe gjenden në një stacion policor në Shkup dhe gjatë ditës së sotme do të parashtrohen para gjykatësit në procedurë paraprake. Për gjashtë personat për të cilët është hapur procedurë hetuese, Prokuroria do të kërkojë paraburgim, ndërsa për personin e shtatë, masa të kujdesit.

“Ekspertiza tregoi se arsyet kryesore për aksidentin kanë qenë frenat teknikisht të parregullta të autobusit dhe shpejtësia e madhe e lëvizjes mbi atë të lejuarën, për të cilin shkak shoferi e ka humbur kontrollin e autobusit. Shoferi ka lëvizur me shpejtësi 99 kilometra në orë, ndërsa shpejtësia e lejuar është 80 kilometra në orë”, tha Rajçev, duke shtuar se ekspertiza tregoi se shoferi nuk e ka përdorur telefonin gjatë momentit të aksidentit.

I dyshuari i parë është pronari i kompanisë “Durmo Turs”, i cili është menaxher i firmës. Ai i vetmi ka poseduar certifikatë të obligueshme për kompetencë profesionale në komunikacionin juridik, në bazë të të cilit është dhënë licenca për transport, por nuk  e ka organizuar transportin në pajtim me rregullat dhe nuk ka mbajtur evidencë, e këtë ia ka lënë udhëheqësit të kompanisë “Durmo Turs”, i cili nuk ka poseduar certifikatë.

Pikërisht udhëheqësi, siç tha Rajçev, është i dyshuari i dytë në këtë rast, me atë që ka mundësuar të instalohet mekanizmi në autobus, me të cilin manipulohej teknografi, i cili në mënyrë të drejtë nuk e ka rregulluar shpejtësinë e lëvizjes së autobusit.

I dyshuari i tretë, i katërt dhe i pestë janë personat përgjegjës nga firma për kontroll teknik, pronar i së cilës është i dyshuari i parë, respektivisht pronari i kompanisë “Durmo Turs”. Ata janë përgjegjës  për kontrollin teknik dhe kanë dhënë dokumentacion për gjendjen e rregullt të autobusit pas dy kontrolleve të bëra në korrik dhe dhjetor të vitit 2018 edhe krahas asaj se frenat nuk kanë qenë në nivelin e nevojshëm.

I akuzuari i gjashtë, siç tha Rajçev,  është shoferi, i cili gjatë fatkeqësisë ka lëvizur me shpejtësi 99 kilometra në orë, ndërsa e ka aktivizuar edhe aparatin për manipulim të shpejtësisë. Hetimi i PTHP-së Shkup ka konfirmuar se shoferi për shkak të shpejtësisë  e ka humbur kontrollin ndaj autobusit, e ka depërtuar rrethojën mbrojtëse mes dy akseve të autostradës dhe para se të vijë te e dyta, respektivisht të dalë nga rruga, ka filluar të frenojë. Ekspertiza e celularit të tij ka treguar se ai nuk e ka përdorur atë gjatë kohës së fatkeqësisë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ka qenë në rregull, respektivisht nuk ka ndikuar në fatkeqësinë.

“Si rezultat i të gjitha lëshimeve të këtyre gjashtë personave të dyshuar, vijon pasoja – 15 të vdekur dhe 39 persona me lëndime të rënda”, tha prokurori Rajçev.

Ai potencoi se gjatë procedurës hetuese deri sot janë marrë në pyetje gjithsej 47 persona. Tha se nga Fakulteti mekanik është përgatitur ekspertizë për mosfunksionimin e sistemeve në autobus, nga Fakulteti elektroteknik ekspertiza për funksionimin e takografit, ndërsa nga Byroja për ekspertizë gjyqësore është përgatitur ekspertizë e komunikacionit.

Aksidenti ka ndodhur më 13 mars, kur autobusi i kompanisë “Durmo turs” me 51 udhëtarë doli nga rruga Tetovë-Shkup dhe ra në humnerë pasi e depërtoi rrethojën mbrojtëse në autostradë. Në këtë aksident humbën jetën 15 persona, ndërsa 39 ishin lënduar.