Flet Flamur Noka: Ja, kush më tha që t’ia hedh miellin Ramës!


Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Një i tillë na vjen nga shkenca e mjekësisë. Bëhet fjalë për një pajisje, që mund t’i hyjë në punë shumë vetëve, (përveç shokëve Lulëzim Basha dhe Pandeli Majko).

Shpikja ka të bëjë me një mikroçip, që montohet te dhëmbët. (Pra, kërkesa kryesore është që, mbajtësi i saj të ketë ndonjë dhëmb në gojë, kusht që jemi të bindur se e plotëson pa problem, gjysma e shqiptarëve). Ky mikroçip do të matë vlerat kalorike të ushqimeve që konsumon njeriu.

Thamë më lart se, kjo pajisje e re, nuk bën për shokët Lulëzim dhe Pandeli.

Themi kështu pasi, dihet që të dy këta shokë, shumicën e kohës, dhëmbët i mbajnë jashtë, e ka shumë mundësi, apo siç i themi neve në gazetari, probabilitet që, kjo pajisje t’ju bjerë nga dhëmbi ku do të montohej.

Shpresojmë që, shkenca elektroniko-mjekësore në një të ardhme, të mendojë edhe për ta, duke sjellë një pajisje të re që të montohet, e mos të rrëzohet.

E meqë ra llafi te montimi. Bëhet e ditur se, është krijuar kamioni i cili mund të montohet vetë nga blerësi. Fabrika e shet atë pjesë-pjesë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që nuk kanë lekë, apo nuk mund të marrin kredi në banka, për të blerë gjithë kamionin.

Ne si rubrikë, sugjerojmë që, blerësi ta blejë të fundit, timonin. Parësore është që kamioni të ecë. Se në ç’drejtim shkon, nuk ka shumë rëndësi.

Këtë përfundim e kemi nxjerrë pas raportit të BERZH-it, i cili tha që ekonomia shqiptare po ecën, por jo në rrugën e duhur. Po ecën nëpër shtigje, pasi 43% e bizneseve që marrin tenderët e mëdhenj, kanë lidhje politike.

E meqë ra llafi te politika. Sot po sjellim bisedimin e bërë me shokët Flamur Noka dhe Ditmir Bushati.

Ja bashkëllafosja e bërë me ta.

Antena: Përshëndetje. shoku Flamur! Deshëm të dinim diçka rreth miellit. Ku e gjetët dhe si mundët ta fusnit në Kuvend?

Flamur Noka: Ju thashë atyre rojeve që është drogë, e ma ka kërkuar Edi Rama. Ata sa dëgjuan emrin e Kryeministrit, më hapën portën, se e dinë rojet, që ai thith nga ajo gjë.

Ditmir Bushati: Leri këto ti, se nuk i ha asnjë! Thuaje hapur që, mielli që na hodhe, ishte serb!

Flamur Noka: E serb ishte, se atë miell fusni ju si qeveri.

Antena: Pse ju si PD, kur ishit në qeveri, nuk fusnit miell serb, shoku Flamur?

Ditmir Bushati: Ja pra, që Flamuri është i lidhur me serbët, përderisa mielli ishte i tyre.

Antena: Ju, shoku Ditmir, duhet të tregoheshit më i matur, mendoj unë! Nuk duhet të hidhnit ujë! Maturia është veti e politikanëve. Apo po, shoku Flamur?

Flamur Noka: Kur nuk e di Ditmiri këtë gjë, që ka pasur edhe babin politikan, s’kam nga ta di unë!

Antena: Si ju lindi ideja për miellin, shoku Flamur? Përse nuk hodhët ndonjë produkt tjetër në Kuvend. Nuk besoj se…?

Flamur Noka: Kisha ndaluar makinën diku, e aty kaluan disa të rinj. Dikush prej tyre tha: – Ai që ka këta alamet makine, do jetë marrë me “miell”! Aty mendova: – Përse mos të hedh miell. – Ja pra, siç e shikon, rinia jonë është ajo që më frymëzon mua si politikan, në ato që bëj.

Antena: Po ju shoku Ditmir! Përse hodhët ujë në…?

Ditmir Bushati: Unë po pashë ujë, tërbohem. Sidomos tani në këtë situatë ku gjendem.

Antena: Tërboheni po patë ujë?! Po ky qenka lajmi thënë ekskluzivisht për mua! Pse ç’ka të veçantë uji, tani…?

Ditmir Bushati: Tani që po llafos me palën greke për kufirin ujor, po pashë ujë, qoftë edhe në hartë, e kaloj kufirin. Nuk përmbahem dot fare! Më duket sikur do ma marrin.

Antena: Sapo më erdhi një sms në telefon që, mielli që hodhët ju në Kuvend, nuk ishte serb.

Flamur Noka: Nuk ka qenë miell serb! Po çfarë mielli ishte, atëherë?!

Ditmir Bushati: Bën sikur nuk e di ti Flamur, se ç’miell ishte.

Antena: Paska qënë miell rus.

Ditmir Bushati: Kot nuk themi neve që, PD është e lidhur me rusët. Ika t’i them Taulantit tonë, sa më parë…!/Albanian Free Press