Carovska: Pensionet janë stabile dhe vazhdojnë të rriten


Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, sot mbajti takim pune me kryetaren e Lidhjes së shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë, Stanka Trajkova dhe përfaqësues dhe anëtarë të tjerë të Këshillit kezekutiv të Lidhjes.

Në takim u diskutua për sjelljen e Ligjit për organizim pensional që e propozon Lidhja, për shtëpitë e pleqve, përkatësisht shtëpitë e pensionistëve dhe për harmonizimin e pensioneve.

“Mendoj se është shumë me rëndësi të kemi takime të këtilla në të cilat do të kemi diskutime konstruktive lidhur me të gjitha çështjet lidhur me pensionistët të cilët përmes punës së tyre në të kaluarën kanë marrë pjesë në ndërtimin e shoqërisë sonë”, tha ministrja në takim.

Lidhur me harmonizimin e pensioneve ministrja theksoi se me reformën pensionale është stabilizuar sistemi pensional dhe është bërë kursim në Buxhet prej katër miliardë denarëve, por edhe është paguar pensioni pa huamarrje.

“Pensionet janë stabile dhe vazhdojnë të rriten. Me ndryshimet e fundit ligjore pensionet do të rriten aq sa do të rritet edhe inflacioni dhe atë dy herë në vit, ndërkaq është paraparë edhe harmonizimi i tretë në fund të vitit nëse kemi rritje ekonomike prej mbi katër për qind, që, sipas treguesve të deritanishëm, është e mundur të ndodhë”, tha Carovska.

Pensioni mesatar u rrit prej 13.754 denarë në dhjetor të vitit 2016 në 14.580 denarë me harmonizimin e fundit në mars të këtij viti.