BESA me dy Kongrese- njëri më 18, tjetri më 24 shkurt!


Vazhdojnë mosmarrëveshjet në Lëvizjen BESA. Kongresi i kësaj partie ishte caktuar për më 24 shkurt, por pas ndarjes në dy grupe, tani krahu i Shkupit ka vendosur që Kongresin ta mbajë më 18 shkurt.

Në profilin e tij në Facebook njëri nga themeluesit e Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi, shkroi “Ideja vazhdon” të ngjitur me një fotografi në të cilën shkruhet se më 18 shkurt në Pallatin e Tetovës do të mbahet kongresi i parë i partisë, njofton TV21.

Pas kësaj përmes një kumtese reagoi grupi tjetër i Bilall Kasamit, në të cilën thuhet se dikush po ua keqpërdor logon e partisë.
“Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik e ritheksojmë që konform statutit dhe rregullores për Organizimin e Kongresit, Lëvizja BESA ka shpallur Kongresin e saj më 24 shkurt 2018 dhe ky është Kongresi i vetëm i partisë”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Besa e Bilall Kasamit.