“Almiri”, protestë në Shkup kundër rikualifikimit të lëndës

Sot në Shkup është paralajmëruar një protestë qytetare kundër rikualifikimit të veprës në rastin e vogëlushit, Almir Aliut. Protesta më saktë do të mbahet te ‘Ura e Gurit’ në qendër të Shkupit në orën 14:00.

Protesta do të mbahet nën moton, “Prokurorët vrasin Almirin për herë të dytë”, ndërsa ky hap vjen pasi pala e prokurorëve maqedonas kërkon rikualifikimin e rastit nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”. Kurse pala shqiptare kërkon që rasti të mbetet kualifikimi si vepër penale “vrasje”, ku i akuzuari i vetëm është Boban Iliq.

Edhe partitë shqiptare thonë se një gjë e tillë, do të pasqyronte gjendjen e mjerueshme të organeve të drejtësisë në Maqedoni. Nga BDI-ja këmbëngulin në fajësinë e dorasit duke pasur parasysh dëshmitë siç janë video materialet ekzistuese. Ndërsa, Aleanca për Shqiptarët thonë se mungesa e drejtësisë vihet në pah kur bëhet fjalë për rastet ku janë të përfshirë shqiptarët. Ata kërkojnë nga Qeveria që të përkushtohet në zgjidhjen e drejtë të rastit në fjalë dhe të gjithë proceseve tjera gjyqësore. Kurse nga nga Lëvizja Besa thonë se fjala “Reforma në drejtësi” nuk do të kishte kuptim po të rikualifikohet .