Ahmeti: Të mos lejohet çështja për emrin të burokratizohet ose politizohet


Zgjidhja e çështjes me emrin, ligjin për gjuhët dhe marrëdhëniet mes partive politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni, ishin temat kryesore në takimin e sotëm të fundvitit të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti me gazetarët.

Lidhur me çështjen për emrin, Ahmeti tha se ky është problem që kërkon zgjidhje, pasi është pengesë për anëtarësimin tonë në NATO dhe BE.

Sipas Ahmetit, nuk duhet qasje ndërmjetësuese në zgjidhjen e këtij problemi, por sipas tij, ndërmjetësuesi Methju Nimic duhet më fuqishëm të angazhohet me ndihmën e KB-së dhe të gjitha shteteve miqësore, ndërsa nga ana e jonë varet se si do të kontraktohet ky kompromis dhe çka më tej.

“Nuk mund të lejohet që kjo çështje të burokratizohet ose politizohet ose të shfrytëzohet çështja për referendum dhe debateve të pafundme në Parlament që të dekurajohet çështja. Kjo duhet të zgjidhet me marrëveshje mes dy shteteve dhe dy qeverive siç ishte në vitet e 90-ta rreth referencës së përkohshme. Kuptohet se këtu duhet të merr pjesë edhe opozita që të tejkalohen dallimet dhe të vendosemi në shërbim të së ardhmes, pasi e kaluara e Ballkanit në përgjithësi është e dhimbshme dhe duhet të zgjidhet”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së potencoi se opozita e tanishme është e interesuar për zgjidhje të kontestit me emrin, ndërsa qëndrimin se janë për NATO dhe BE e kanë riafirmuar edhe gjatë Kongresit.

“Opozita është e interesuar për zgjidhje të problemit rreth emrit, por sa janë dallimet do të shohim gjatë këtij procesi. Pa opozitë nuk mund të zgjidhet kjo çështje dhe në këtë drejtim ishin edhe porositë nga kongresi i tyre i paradokohshëm se janë për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE, ndërsa vlerësoj se ata nuk janë parti pa përvojë që të dinë se kjo nuk është e mundur pa zgjidhjen e problemit me emrin, si dhe atë se prioritet janë marrëdhëniet e mira fqinjësore edhe me Sofjen edhe me Athinën”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së tha se ka komunikuar edhe me partitë në pushtet edhe me opozitën dhe vlerëson se të gjithë janë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Si pjesë e kongresit të VMRO-DPMNE u miratua deklarata për përmirësimin e marrëdhnieve mes maqedonasve dhe shqiptarëve që të hiqet paragjykimi se VMRO-DPMNE-ja është parti antishqiptare” tha Ahmeti.

Lidhur me mundësinë për hyrjen e PDSH-së në Qeveri, Ahmeti potencoi se ka pasur biseda në këtë temë dhe se janë të hapur për bashkëpunim, por se nuk ka asgjë konkret për hyrje të PDSH-së në pushtetin ekzekutiv.

Duke i komentuar informatat dhe deklaratat se ai dhe BDI-ja e kanë shantazhuar kryeministrin Zaev pr dalje të Aleancës për shqiptarët nga Qeveria, Ahmeti tha se nuk ka ndikuar për atë që lideri i partisë Ziadin Sela të vedos të dalë nga qeveria.

“Unë atë do të quaja vetlargim, e rreth asaj se unë e kanë shantazhuar kryeministrin Zaev me daljen tonë, janë shpifje të plota”, tha lideri i BDI-së.

Rreth mundësisë për kthimin e opozitës në Kuvend, Ahmeti tha se Qeveria është e hapur për të gjithë të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e reformave dhe se ka komunikim mes Qeverisë dhe opozitës për kthimin e opozitës në Kuvend dhe se disa ligje me qëllim janë anuluar, siç është Marrëveshja me Bullgarinë, ligji për gjuhët.

Në ditën e sotme para një viti u mbajt takimi në Tiranë në organizim të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ahmeti tha se takimi i sotëm me gazetarët nuk është i lidhur me këtë përvjetor dhe se kjo mbledhje në Tiranë që më vonë u keqpërdor si platforma e Edi Ramës ose Platforma e Tiranës, është konvokuar vetëm, siç tha, që të përfshihet partia politike shqiptare që nuk ka marrë pjesë në takim të konvokuar nga ana e tyre në Shkup. Paralajmëroi takim të ri të cilin duhet ta organizojë PDSH-ja.