Zbulohet laboratori i drogës vdekjeprurëse, arrestohet një shtetas çek, kërkohet një banor i Gërçecit


Sektori për luftimin e krimit të organizuar në polici ka ngritur kallëzim penal kundër një 36 vjeçari nga fshati Gërçec i Shkupit dhe ndaj një 58-vjeçari me shtetësi çeke. Kjo pasi që Ministria e Punëve të Brendshme ka zbuluar se këta dy persona nga Gërçeci dhe Çekia kanë prodhuar një lloj të drogës që është vdekjeprurëse. Policia shpjegon se kjo drogë në tregun e zi njihet me disa emra të ndryshëm. Quhet kristal met, pernik ose perventin. Këtë drogë sintetike policia shpjegon se po e takon për herë të parë në Maqedoni, pasi kryesisht prodhohet në Çeki.

Me përdorim të rregullt të kësaj droge sintetike për dy vjet, shkatërrohet sistemi nervor dhe truri dhe mund të shkaktohet edhe vdekje.

Policia ka zbuluar prodhimin e kësaj droge në një laborator të improvizuar në shtëpinë e banorit të Gërçecit. Janë zbuluar disa substanca kimike që nevojiten për prodhim të kësaj droge si metamfetamin, benzil metil keton, dhe pseudoefedrin dhe disa përbërje të tjera.

Policia ka arritur ta prangosë vetëm shtetasin çek të cilit prokuroria më pas i ka shqiptuar paraburgim 30 ditorë, ndërsa banori i Gërçecit po kërkohet ende.  /SHENJA/