Vuçiq: Mendoja ta nisja ushtrinë në Kosovë, por zgjodha paqën


Vuçiq e thotë hapur dhe zyrtarisht: Mendoja ta nisja ushtrinë dhe policinë në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka pranuar sot hapur se të hënë, me rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicë e ka shqyrtuar mundësinë e përdorimit të ushtrisë dhe policisë serbe.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se e ka shqyrtuar edhe opsionin e përdorimit të ushtrisë dhe policisë për shkak të zhvillimeve në Kosovë, por e ka zgjedhur durimin dhe ruajtjen e paqes”, shkruan tanjug.

Në pyetjen se a ka qenë i gatshëm që si presidenti i Serbisë ta dërgojë ushtrinë dhe policinë në vijën kufitare me Kosovën, Vuçiq ka thënë se detyrimi i tij kushtetues është mbrojtja e integritetit të Serbisë dhe se duhet shqyrtuar edhe një opsion i tillë, shkruan lajmi.net.

Kjo deklaratë e Vuçiqit vije pas bisedës telefonike me shefin e shtetit rus, Vladimir Putin.

Ai ka thënë se me liderin rus ka pasur “bisedë të gjatë dhe përmbajtjesore” dhe është dukur tepër i ekzaltuar për këtë.

“Nëse mund të them, jam takuar shumë herë më të, por sot nga fjalët e tij e kam ndjerë shkallën më të lartë të mbështetjes”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.

“Si dhe reagimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse e njoh mirë”, ka shtuar.

Tutje ai ka thënë se Putinin e ka pyetur “cila është këshilla e tij”. /Lajmi.net/