Vajza e ish-spiunit rus del nga spitali, dërgohet në një “vend të sigurt”


Yulia Skripal, vajza e helmuar e ish-spiunit rus Sergei Skripal, ka dalë më në fund nga spitali. 33-vjeçarja u largua nga Spitali i Qarkut Salisbury dhe është dërguar në një vend të sigurt.

“Ky nuk është përfundimi i trajtimit të saj mjekësor, por shënon një moment të rëndësishëm”, thanë burime nga spitali, të cituara nga BBC.

Babai i saj 66-vjeçar mbetet në spital dhe “po shërohet më ngadalë se Julia”.

Çifti u dërgua në spital më 4 mars, pasi ishte ekspozuar ndaj agjentit nervor toksik Novichok.

Babai dhe vajza u gjetën përtokë, në një stol në qendër të qytetit Salisbury të Britanisë së Madhe.

Ngjarja shkaktoi një “tërmet” diplomatik, pas akuzave të Britanisë së Madhe se pas këtij helmimi qëndronte Rusia.

Qeveria ruse mohoi çdo përfshirje dhe akuzoi britanikët se kanë sajuar një “histori të rreme”.

Pas kësaj, nga Britania e Madhe, SHBA dhe vende të tjera perëndimore, duke përfshirë edhe Shqipërinë, u dëbuan mbi 150 diplomatë rusë, ndërsa Kremlini u përgjigj me të njëjtën monedhë. /a.a/ Albanian Free Press Online/