Thaçi: “Skenderbeun” në Shkup e solli PDSH-ja


Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, ka deklaruar se permendoren e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në Shkup e ka sjell partia e tij, shkruan gazeta Lajm.

Këtë deklaratë, Thaçi e bëri në emisionin Click Plus në TV 21, pasi u pyet, përse mbështet Stevo Pendarovskin i cili fushatën e nisi nga përmendorja e Goce Dellçevit dhe jo Blerim Rekën i cili tubimin e parë elektoral e mbajti në sheshin “Skenderbeu” në Shkup.

“Ky kandidati kur del te “Skenderbeu” duhet ta dijë kush e ka sjell përmendoren e Skenderbeut aty. PDSH-ja. Përmendorja e Skenderbeut është vendosur aty me vendim të qeverisjes së PDSH-së dhe me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltarëve të Partisë Demokratike Shqiptare”, tha Thaçi.

Kreu i PDSH-së është i bidur se Stevo Pendarovski nuk e konteston Skenderbeun. Por, sipas tij, problemi kryesor mes shqiptarëve dhe maqedonasve është që për momentin kontestojnë të drejtat e njëri-tjetrit.

Thaçi, tha se PDSH-ja asnjëherë nuk heq dorë nga të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, që sipas tij, do të përmbushen vetëm atëherë kur të ketë konsensus të plotë në Parlament dhe ndarje të drejtë të buxhetit të shtetit.