Situatë e tensionuar para gjykatës ku gjykohen protestuesit e Kukësit


Të arrestuarit për protestën e Kukësit do të dalin përpara gjykatës për masën e sigurisë në një seancë me dyer të mbyllura.
Ky është një vendim i marrë nga trupi gjykues pas konfrontimeve fizike në ambientet e brendshme të gjykatës.

Më herët, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, doli i gjakosur përpara mediave, për të denoncuar “diktaturën e Edi Ramës”.

“Kërkuam të futemi nën sallë po forcat e policisë nuk na lejuan. Forcat e shtetit diktatorial të Edi Ramës u përplasën me protestuesit, u përplasën dhe me ne”, tha Edmond Spaho.

Edhe deputetë të tjerë të opozitës janë penguar nga policia të hyjnë në sallë.

Në pamjet filmike të shpërndara nga Partia Demokratike, duken momentet kur deputetët pengohen nga policia në derën e sallës.

Pas këtyre konfrontimeve, trupi gjykues vendosi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura për mediat, por të lejohet prania e deputetëve në sallë.

Mësohet se në sallë aktualisht ndodhen deputetët Edmond Spaho, Flamur Noka, Aldo Bumçi, Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Gent Strazimi dhe Floida Kërpaçi. /a.a/ Albanian Free Press Online/