Sela: Zaev mori një vend ministror, por humbi një partner serioz

Me votimin e ministrit të ri të Shëndetësisë dhe daljen e Aleancës për Shqiptarët nga Koalicioni, Qeveria e humbi moralin, tha Zijadin Sela në emisionin e sotëm “Top Tema” në televizionin “Telma”.

Sipas tij, kryeministri Zoran Zaev mori një vend ministror, por humbi një partner shumë serioz për sa i përket reformave dhe tejkalimit të krizës politike.

Siç përmendi Sela, në lojën politike të BDI-së e cila ka një qëllim të fshehur për shkak të rejtingut i cili i bie çdo ditë tek elektorati shqiptar, Zaev ka parë interesin e tij, që të marrë një dikaster të mirë siç është Ministria e Shëndetësisë dhe “të vazhdojë, jo vetëm me reformat në shëndetësi, por edhe me planet e tij të biznesit”.

“Në fillim Qeveria kishte qëndrim se nuk do të ndërtohet qendra e re klinike sepse ka shumë probleme tjera në shëndetësi dhe kjo nuk është zgjidhje. Prandaj Ministria e Shëndetësisë nuk i ishte edhe aq interesante për kryeministrin dhe partnerët tjerë të koalicionit. Do të thotë, Ministria nuk i është dhënë Aleancës për shkak të Taravarit, siç pohojnë lojtarët politik”, theksoi Sela.

Ai përmendi se shqiptarët në Maqedoni tani më 15 vjet jetojnë në monizëm, ka vetëm një parti politike e cila çdoherë fiton në zgjedhje.

“Dhe jo se qytetarët shqiptarë e dëshirojnë këtë si opsion politik, por situata e tillë është ndihmuar nga partnerët maqedonas, dje dje ajo ishte VMRO-DPMNE-ja dhe tani në zgjedhje lokale ishte LSDM-ja. Ata protestuan për demokraci, por problemi më i madh në këto zgjedhje lokale është se Zaevi pengoi që demokracia dhe ndryshimi të vijnë edhe te popullata shqiptare”, tha Sela.