Sasoli: Nuk bëhet fjalë për gabim historik që nuk filluat negociatat, por për stagnim që së shpejti do të tejkalohet


Në Këshillin e Evropës nuk u tha “jo” për të filluar proces të negociatave, por se kjo çështje sërish do të vihet në rishqyrtim. Duhet t’i sqarojmë opinionit se nuk bëhet fjalë për “jo”, as për gabim historik. Unë preferoj të them se bëhet fjalë për një stagnim historik, në mënyrë që të kthehemi sërish dhe ky proces i negociatave të fillojë sa më parë. Kemi të ardhme të përbashkët, ta shkruajmë së bashku.

Këto ishin porositë kyçe të cilat kryetari i Parlamentit evropian i bëri sot para deputetëve, kreut të lartë shtetëror, liderëve të bashkësive fetare dhe përfaqësuesve të korit diplomatik, në fjalimin e tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“Për mua paraqet nder të madh ajo që sot jam para këtij Kuvendi, gjatë vizitës sime të parë në një shtet jashtë Bashkimit Evropian. Jam këtu  t’ju them se zhgënjimet tuaja i ndajmë, ato janë edhe tonat, sepse jemi të bindur se kemi të ardhme të përbashkët, e ajo e ardhme quhet Bashkimi Evropian”, tha Sasoli.

Theksoi se ekzistojnë vështirësi të caktuara që duhet t’i tejkalojmë, por duhet të shohim me optimizëm që, siç tha, do të na mundësojë ta përfundojmë edhe këtë fazë që do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

“Bëtë përpjekje të madhe, madje e ndërruat edhe emrin kushtetues, por mos u ndjeni keq për atë. Ajo ishte gjë shumë e rëndësishme me të cilën duhet të krenoheni dhe që duhet ta tregojë guximin tuaj, dhe që do të mundësojë jo vetëm të kërkoni negociata dhe anëtarësim, por edhe t’i qaseni aleancave euroatlantike dhe ato dy momente do të jenë shumë të rëndësishëm për të ardhmen tuaj. Ky është hap vendimtar që u tregoi institucioneve evropiane se jeni të gatshëm për rrugë të përbashkët me ne. Ai është sinjal së duhet t’ia transmetoni opinionit publik dhe dëshiroj të falënderohem në këtë sallë, mediumeve, sepse pashë një pasion të tillë si në Bruksel ashtu edhe këtu gjatë këtyre dy ditëve, se nuk guxojmë të stagnojmë dhe të gjithë të bëhemi peng. Vërejtjet që u thanë nga shumë pak shtete, jam i sigurt se do të arrijmë definitivisht t’i përforcojmë dhe t’i spastrojmë problemet që u paraqitën”, nënvizoi Sasoli.

Tha se dje gjatë takimit me kryeministrin Zoran Zaev është cekur nevoja për të qenë të bindur se bllokada që ndodhi në Bruksel është një stagnim i vogël, një moment kalimtar në të cilin, siç tha, ndjemë se rreth Maqedonisë së Veriut ekziston vëmendje e madhe, se ekzistojnë një numër i caktuar vendesh, qeverish, institucionesh evropiane, Parlamenti evropian, Komisioni evropian, Këshilli i Evropës, të cilët janë të bindur se procesi i negociatave duhet të fillojë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Shfaqi bindje se rezervat e shprehura nga disa vende të caktuara së shpejti do të rishqyrtohen, ndërkaq zhgënjimet që rezervat e tyre i shkaktuan në Maqedoni të veriut dhe Shqipëri duhet të tejkalohen me guxim, sepse sa më mirë duhet të definohet hapësira e BE-së.

“Ballkani Perëndimor është në atë hapësirë. Kemi histori, traditë të përbashkët,ndjenja të përbashkëta. Kjo natyrshëm do të jetë fuqia jonë dhe trashëgimia jonë që do t’ua lëmë të rinjve në Maqedoninë e Veriut, të cilët natyrshëm shohin ndaj procesit të inkuadrimit  të këtij vendi në Union”, tha Sasoli.

Jemi të vetëdijshëm dhe të bindur, tha Sasoli, se Maqedonia e Veriut duhet sa më shpejtë ta fillojë dhe ta përfundojë procesin e inkuadrimit drejt BE-së.

“Kuptohet, e kemi të qartë se edhe BE-ja duhet ta bëjë pjesën e vet të punës dhe vendet të cilat janë të interesuara për hyrje, ta vazhdojnë rrugën e tyre. Negociatat do të jenë moment që vetëm do ta përforcojë procesin e reformave, për të cilat Maqedonia e Veriut ka nevojë t’i përfundojë. Sot më la përshtypje të madhe takimi me partitë politike në Parlament dhe kuptova se në pluralizmin e mendimeve dëgjova një të përbashkët, një ndjenjë të përbashkët që procesi i negociatave të fillojë. Të dëgjoj prej tyre se Evropa është e ardhmja e tyre, ai është sinjal pozitiv dhe t’u themi se kësaj radhe sërish do të vazhdojë dhe prandaj kemi nevojë prej jush nga entuziazmi juaj, nga dëshira juaj për liri dhe demokraci, për pjesëmarrje në krijimin e së ardhmes së BE-së”, theksoi Sasoli dhe shtoi se ajo pa Ballkanin nuk do të jetë e mundur.

Për takimin me të rinjtë dje, thotë se i ka lënë përshtypje të madhe, sepse ata janë të rinjtë e njejtë të cilët i takon në shtetet evropiane. “Ata kanë ndjenja të njejta, vizion të njejtë, pasion të njejtë dhe mllef të njejtë sepse do të donin të jetojnë në botë më të drejtë. Kjo është rezerva jonë më e madhe nga e cila do të shterim forca dhe t’u sqarojmë të rinjve se ajo që ndodhi në Këshillin e Evropës nuk do ta ndalojë këtë lëvizje dhe këtë proces. T’ua themi atë se kjo rrugë do ta çojë Maqedoninë e Veriut në procesin e negociatave inkuadruese, kjo është e shkruar, kjo është e ardhmja jonë e përbashkët”, nënvizoi Sasoli.