Riformatimi i Qeverisë akoma pezull


Plotësimi i vendeve të zbrazëta në Qeveria apo riformatimi akoma mbetet pezull. Kryeministri Zoran Zaev dje nga seanca parlamentare theksoi se gjatë ditëve në vijim do të mbyllet kjo çështje.

“Besoj se për disa ditë do të propozohet ministri i Shëndetësisë këtu në Kuvend, ministri pa resor dhe zëvendësministri, që të kompletohen të gjithë resorët në Qeveri, ndërsa deri atëherë zëvendësministri, sekretari shtetëror dhe të tjerët në Ministri e kryejnë punën”, tha Zaev. Gjithsesi, theksoi, kjo nuk është e njëjtë, por kanë kaluar vetëm dhjetë ditë. “Sa më shpejt që mundemi do të dalim me propozim-vendim”; shtoi Zaev.

Sipas TV Alsat, sot është dita finale për plotësimin e kabinetit qeveritar, respektivisht përzgjedhjen e ministrit të ri të Shëndetësisë, ministrit pa resor dhe zv.ministrit të Arsimit.

Po ashtu bëhet e ditur  se edhe më tej mbetet e hapur mundësia e ri formatimit më të gjerë dhe ndryshime të resorëve mes partive të koalicionit.

Çështja ka mbetur pezull prej disa javësh, që kur anëtarët e Qeverisë u zgjodhën në krye të institucioneve të pushtetit lokal. Aleanca për Shqiptarët këmbëngul që edhe më tej të drejtojë dikasterin e Shëndetësisë duke propozuar emrin e Vullnet Feratit por vetë kryeministri Zaev kishte deklaruar se do të shqyrtohen edhe propozime dhe emra të tjerë.