Riemërimi i aeroportit mund ta sjellë Koxiasin në Shkup


Me ndryshimin e emrit të aeroportit të Shkupit, mediat greke nuk e përjashtojnë mundësinë që shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias ta vizitojë Shkupin.

“Në rast se bëhen këto hapa simbolike, nuk duhet të përjashtohet mundësia që ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Koxias, së shpejti me aeroplan, të vijë në Shkup, me linjë të drejtpërdrejtë nga Athina, i pari pas shumë viteve, shkruan gazeta greke “Katimerini”, ndërsa me koment të ngjashëm është edhe botimi onlajn i gazetës “Proto tema”, duke publikuar se shefi i diplomacisë greke “i përgatit valixhet për në Shkup”.

“Koxias po përgatitet për udhëtim në IJRM pas ndryshimit të emrit të aeroportit”, thekson “Pro tema”.

Sipas mediave në Greqi në periudhën e fundit Nikos Koxias, ka shprehur dëshirë të jetë i pari i cili nga Athina, me aeroplan të vinte në Shkup, nëse edhe në praktikë zbatohen paralajmërimet e kryeministrit të Maqedonisë nga Davosi për riemërimin e aeroportit dhe autostradës. Ndërkaq, për këtë informacion nuk ekziston konfirmim zyrtar.

Mbetet e hapur çështja nëse udhëtimi eventual nga Athina për në Shkup, do të bëhej me aeroplan qeveritar grek apo ndërkaq me fluturim të kompanisë greke Aegean airlines, e cila para katër muajve, zyrtarisht paralajmëroi se Shkupi është njëri ndër destinacionet e reja që vendosen në vitin 2018 për linja të drejtpërdrejta nga Athina.