Provincat zbrazen, kryeqyteti ngarkohet


Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme dhe funksionimit të institucioneve të mirëfillta jashtë Shkupit, siç duket paraqet një prej faktorëve kryesor se pse shumë banorë nga qytetet tjera ia mësynë migrimit drejtë kryeqytetit. Disa për shkak të punës dhe angazhimeve tjera, ndërsa një pjesë tjetër vendosin që përgjithmonë të vendosen në ndonjërën prej lagjeve të kryeqytetit. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, problemet dhe kaosi urban çdo ditë e më tepër po rritet, sidomos në vendbanimet me shumicë shqiptarë, siç është Çairi e rrethina. Për këto shkaqe, me të drejtë parashtrohet dilema se vallë, Shkupi si kryeqytet duhet të “mbyllet” për të tjerët, ose migrimi drejt tij duhet të bëhet përmes kushteve më rigoroze.

Ish-zëvendës drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Muhedin Brava, duke folur për çështjen e migrimit dhe lëvizjeve përbrenda shoqërisë tonë, ato nuk dallojnë fare nga problemet globale pothuajse në secilin vend tjetër.
“Fokusimi i popullatës kryesisht në Shkup sjell deri te mbipopullimi. Si pasojë e kësaj vjen në shprehje edhe zvogëlimi i kualitetit të jetës, mbrojtja e ambientit jetësor, zvogëlimi i vendeve të punës e kështu me radhë. Kur e analizojmë aspektin socio-ekonomik, mund të konstatojmë se me mbipopullimin e Shkupit thellohet hendeku i anës së djathtë të zhvilluar dhe anës së majtë të pazhvilluar. Drejtë kryeqytetit zakonisht nisën qytetarët për të kërkuar punë, të cilët paraprakisht nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit dhe të cilët paraqesin ngarkesë të sistemit social dhe atij infrastrukturor. Procesi i migrimit nuk mundet të mbyllet, por unë vlerësoj se politikat e migrimit duhet të jenë prioritet i posaçëm i shtetit. Politikat e migrimit duhet të jenë prioritet në tejkalimin e faktove që e sjellin migrimin. Për ta parandaluar migrimin, shteti duhet të ulë shkallën e papunësisë dhe të krijojë vend të punës jashtë Shkupit, të krijojë klimë biznesi, ti përmirësojë kushtet e procesit edukativo-arsimore dhe një varg faktorësh tjerë që e joshin migrimin drejtë kryeqendrës”, thotë për KOHA, Brava.
Fenomeni i metropolizimit është karakteristik edhe për shoqëritë tjera. Megjithatë, sipas Bravës, problemi në rastin tonë është se të gjitha rrugët nga jashtë të çojnë në drejtim të Shkupit. Ai vlerëson se procesi i “shkupjanizimit të shtetit” është njëra nga fenomeneve më të përhapur shoqërore me dekade më radhe, por edhe sot.
“Kur e përmendim ‘shkupjanizimin’ si proces, mendoj në koncentrimin e të gjitha vlerave shoqërore, institucioneve shtetërore dhe fuqisë së shtetit. Kjo vlerësoj se nuk duhet të jetë kështu. Qyteti jonë është qendër afariste, ekonomike, qeverisëse, politike dhe në masë të madhe – qendër e informacionit. Kjo çështje e ka arritur atë shkallë ku mund të konstatojmë dhe vijmë deri në një paradoks saqë ëndrrat dhe realiteti i vërtet është vetëm Shkupi, ku puna dhe karriera kanë sukses, kurse gjithçka jashtë saj është një hapësirë gjysmë ëndërr dhe gjysmë realitet”, thekson Brava.
Mos regjistrimi i popullatës në Maqedoni, procesi ky i cili për herë të fundit u realizua në vitin 2002, në masë të madhe ka ndikuar në çrregullimin e politikave demografike. Me këtë rast, shteti një kohë të gjatë nuk ka vizion se ti orientojë politikat e saja zhvillimore. Pasqyra më reale e mbipopullimit të qyteteve, me theks të veçantë të Shkupit, mund të shihet nga përditshmëria ku kaosi urban çdo ditë më tepër shtohet. Ndërkohë me vështirësitë më të mëdha vazhdon të përballet qytetari shqiptar i Shkupit, i cili edhe më tej problem esencial e ka zgjidhjen e statusit banesor.
Lidhur me këtë çështje, Muhedin Brava, thotë se shërimi i kësaj gjendje duhet të bëhet përmes stimulimit të zhvillimit rajonal dhe zbatimi i decentralizimit të mirëfilltë. Duke i komentuar lëvizjet e fundit në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare të Maqedoni, ai shton se shqiptarët në vend më tepër duhet ti gëzohemi proceseve të euro-integrimeve, për shkak se zhvillimi proporcional i rajoneve është njëra nga politika kyçe të Bashkimit Evropian

VULLNETI I MIRË JU KA KUSHTUAR SHQIPTARËVE
Dëshira për të qenë më afër institucioneve që ofrojnë shërbime më kualitative dhe jetë më të mirë numërohet në listën e arsyeve kryesore se pse shumicë e qytetarëve nga provincat vendosin të zbresin në Shkup. Ish-këshilltari shqiptar në Qytetin e Shkupit, Mevlan Tahiri, përderisa flet për migrimin drejtë kryeqytetit, thekson një detaj të vogël e që lidhet me transportin publik falas për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve.
“Politikat e shtetit nxisin tendencë të migrimit në vend. Kësisoj, vetëm në qytetin e Shkupit pensionistët mund ti gëzojnë privilegjet e lëvizjes pa pagesë në ditë të caktuara. Vetëm Shkupi ka transport urban të organizuar dhe atë falas për disa kategori qytetaresh”, thotë për KOHA, Tahiri.
Duke e komentuar pozitën e shqiptarëve në Shkup, ai thekson se nëse në të kaluarën shqiptarët kanë vuajtur nga politika e pengimit në përpjekjet e tyre për përmirësimin e kushteve të jetesë, sot kjo politikë karakterizohet me një trend ku çdonjërit i lejohet të bëjë çdo gjë me pretekst se më parë – nuk kanë pasur mundësi për ndërtime të objekteve.
“Fatkeqësisht kjo politikë e ‘vullnetit të mirë’ ndaj nevojave të qytetarëve nuk është përcjellë me respektim të dispozitave ligjore dhe të planeve urbanistik. Në këtë drejtim, edhe mënyra e legalizimit të objekteve të ndërtuara është bërë jashtë çdolloj standardi. Kjo qasje liberale është shndërruar në një dhembje të madhe sa i takon degradimit të ambientit. Fillimisht mendoj se duhet të ndërpriten të gjitha aktivitetet ndërtimore dhe komuna duhet të marrë rolin e konsultantit dhe udhëheqësit për çdo iniciativë ndërtimore me respektim të të gjitha procedurave ligjore”, potencon Tahiri.
Hapësira e Komunës së Çairit edhe pse e kapluar nga substandardi dhe ndërtimet e egra, sipas Tahirit, ajo ka taksat më të larta për çështjet komunale sesa komuna fqinje e Butelit. Arsyeja e këtij çmimi është se Çairi e ka epitetin e komunës më afër qendrës.

POLITIKA VAZHDON ME AVAZIN E VJETËR

Aktivisti qytetar Bujar Idrizi, ngjashëm si parafolësit e tij, vlerëson se zhvillimi i balancuar ekonomik dhe rajonal do ta zbuste dyndjen e qytetarëve nga provinca drejtë Shkupit. I njohur për reagimet e shpeshta për kaosin urban në Çair, Idrizi shprehet se puna e parë që duhet të bëhet në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët shqiptarë në pjesën e vjetër të Shkupit është ndalimi i përkeqësimit të gjendjes së mëtutjeshme.
“Fatkeqësisht, nga ajo që të gjithë ne mund ta shohim në terren, është se politika vazhdon me avazin e vjetër. Nuk e kam përshtypjen se ka gatishmëri që të ndryshohet diçka, se këndejmi e

është e kotë që të japim sugjerime dhe ide, nëse nuk ka gatishmëri. Realisht vlerësoj se demi është bërë dhe në dekadat që vijnë – banorët e këtyre lagjeve do të duhet të mësohen të jetojnë në këto kushte”, thotë Idrizi.

Hulumtimet e fundit jozyrtare flasin se në Shkup jetojnë mes 700 deri në 800 mijë banorë, ndërsa brenda qytetit – sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, lëvizin mbi 1 milion banorë. Ndryshe, komuna më atraktive për banim në Shkup është ajo e Aerodromit, Saraji është komuna me territorin më të madh, ndërsa Çairi është komuna me territorin më të vogël, por që ka numrin më të madh të banorëve që jetojnë në një hapësirë prej 3.2 km2. (koha.mk)