Protestë dhe kundërprotestë për “Maqedoninë” në Athinë


Nën masa të rrepta të sigurisë me rrugë dhe metro stacione të mbyllura në sheshin Sintagma para Parlamentit grek, njofton korrespondent i MIA-s nga Athina, sot do të mbahet protesta e paralajmëruar për një kohë të gjatë.

E gjithë vëmendja në Greqi është në drejtim të tubimit. Grekët, sipas njoftimeve, në mënyrë masive “do ta mbrojnë emrin Maqedoni”. Nga i gjithë vendi, të organizuar me autobusë, falas ose me çmime me 50 për qind zbritje do të mbërrijnë në “ekskursionin njëditor” në kryeqytetin grek.

“Selaniku tha, në radhë është Athina të brohorasë: Maqedonia është një dhe greke”, thanë organizatorët e protestës në video thirrjen, postuar në rrjetet sociale, ndërsa që nga dje filluan me përgatitjet në Sintagma.

Sipas deklaratave të organizatorëve për mediat greke, vlerësimet janë se të dielën në tubim do të ketë të paktën një milionë qytetarë.

Të pranishmëve ose personalisht ose përmes porosisë së incizuar me fjalim përshëndetës do t’u drejtohet kompozitori i njohur grek Mikis Teodorakis, ndërsa folës do të jenë edhe një profesori i të drejtës kushtetuese, tre mitropolitë të KOG dhe përfaqësues të organizatorëve.

Paralelisht me protestën në sheshin Sintagma, në largësi prej vetëm 800 metrash, anarkistët përgatitën kundër protestë, gjegjësisht tubim antifashist. Dy protestat, sipas mediave të fqinjit jugor, e kyçën alarmin në policinë greke. Ekziston druajtje, brengosje por edhe lëvizje e rritur tek policia që të shmangen incidente eventuale.

Duket sikur grekët gjatë muajit që shkoi e harruan edhe krizën edhe problemet financiare, kështu që çështja e vetme e kryesore për vendin në këtë moment është Maqedonia. Është fakt se ka lëvizje të madhe në marrëdhëniet Maqedoni – Greqi, klimë pozitive, kontakte dypalëshe dhe vullnet nga të dyja palët për zgjidhje, diçka që mungoi viteve të fundit ndërsa të gjithë thonë se tani është shansi për marrëveshje.

Vallë ekziston rreziku nga protesta për “mbrojtjen e emrit Maqedoni”, të transformohet në protestë antiqeveritare? Korrespondenti i MIA-s nga Athina, në këtë temë bisedoi me gazetarë grekë me përvojë të cilët për shumë vjet e ndjekin çështjen e emrit dhe në mënyrë të shkëlqyer i njohin relacionet Shkup – Athinë. Pothuajse të gjithë thonë se kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë mund të jetë vetëm arsye që grekët të dalin në protestë.

“Në Greqi, gjithçka që lidhet me ndjenjën e grekëve dhe ka karakter simbolik e ‘tërheq’ popullin. Viteve të fundit, edhe krahas problemeve të shumta financiare, uljes së pagave dhe pensioneve, shtrenjtimit, tatimimit të padurueshëm, asnjëherë nuk është mbajtur ndonjë protestë gjigante. Por tani … gjërat janë më ndryshe. Me rastin e çështjes së emrit dhe përdorimit të fjalës greke Maqedoni, e shihni se ka reagim. Kryesisht do të jetë protestë antiqeveritare, por me rastin e një çështjeje që prek ndjenjën e shtetasit grek”, thotë Jorgos Vlavivanos gazetar në televizionin grek “Star”.

Kolegia e tij Aleksandra Vuduri nga radioja “Athina 984” për MIA-n tha se protesta do të jetë ngjarje politike dhe duke iu referuar mendimeve të analistëve, thotë se është lëvizja e parë masive në “epokën e pas memorandumit” në Greqi.

“Ka mundësi që çështja e emrit të vendit fqinj të jetë shkas për protestën në Athinë, por me siguri nuk do të jetë tubim vetëm për “emrin”. Kjo është ajo që kryesisht i brengos qeverinë dhe i ndan të gjitha partitë, madje edhe partnerin e koalicionit SYRIZA, Grekët e Pavarur”, thotë Vuduri dhe shton se qeveria nuk do t’i marrë parasysh mesazhet e protestës në Athinë, lidhur me taktikën negociuese dhe strategjinë.

Ndërmjetësi Methju Nimic në intervistën për emisionin 360 gradë në TV Alsat, vlerësoi se ky definitivisht është shans historik për zgjidhjen e kontestit me emrin.

“Mendoj se njerëzit besojnë se ka ardhur koha për zgjidhjen e kësaj çështje, ta lëmë pas nesh, të shkojmë përpara dhe mendoj se jemi duke lëvizur në drejtim të vërtetë”, deklaroi Nimic.

Lidhur me atë se në cilin drejtim do të vazhdojë procesi, thotë se jo të gjithë, edhe në Athinë edhe në Shkup, janë të lumtur me gjithçka që kanë dhënë në idetë e tij, por, thekson, qëllimi i tyre është të jenë sugjerime prej të dyja palëve të cilët do t’i afronin pozitat e tyre.

“I dhashë disa sugjerime dhe i dëgjova pozitat e të dyja palëve. Mendoj se tani do të tentoj të “mbledh” diçka nga ajo që është ofruar. Por, gjithashtu, dy ministrat e Punëve të Jashtme kanë dialog, njihen mirë dhe mendoj se ata janë njerëzit e vërtetë, por në fund varet prej të dyja qeverive nëse do të dakordojnë zgjidhje”, thekson Nimic.

Në ndërkohë, shefi i diplomacisë greke Koxijas në një bisedë telefonike Nimicit, pas kthimit nga Shkupi, i ka thënë “se nuk është kompetent të flasë se cila është politika e Athinës, e as ta përshkruaj, edhe atë në mënyrë të gabuar”.

Përmes një kumtese dërguar mediave mbrëmë vonë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, Koxijas në bisedë shton se negociatat duhet të zhvillohen në bazë të asaj që është dakorduar në Davos, por edhe në bazë të qëndrimeve që përputhen.”Në bazë të brifingut që e kisha për negociatat që i kishte zotëri Nimici në Shkup, sqarova se negociatat nuk mund të zhvillohen ndryshe përveç se si vazhdim i marrëveshjes në Davos. Krahas kësaj, të gjitha negociatat qëllimmira zhvillohen në bazë të konvergjencave që tashmë janë arritur”, shkruan në kumtesën e shefit të diplomacisë greke.