Më së voni deri sonte Athina do t’ia dërgojë Notën verbale Shkupit


Gjatë ditës së sotme, sipas të gjitha gjasave deri sonte, Greqia do t’ia dërgojë Notën verbale Maqedonisë, lajmëron korrespondentja e MIA-s nga Athina. Kanë mbetur disa hollësi diplomatike që nota nga Athina të dërgohet në Shkup dhe kjo duhet të ndodhë së shpejti.

Sipas informatave të MIA-s nga Athina, nesër, ndërkaq, në Bruksel, në margjina të Samitit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, takim do të mbajnë Radmilla Shekerinska dhe Evangellos Apostollakis, ministrat e Mbrojtjes të Maqedonisë dhe Greqisë. Nuk është përjashtuar mundësia, përveç që do të jetë takim për njohje, Apostollakis t’i propozojë Shekerinskës, që mu Greqia ta stërvitë ushtrinë e Maqedonisë.

Në pallatin presidencial në Athinë sot u mbajt pritje për nder të korit diplomatik. Gjithsej 90 ambasadorë dhe diplomatë, mes të cilëve edhe ushtruesja e detyrës në Zyren për lidhje të R. së Maqedonisë në Greqi, Lidia Boshkovska, u pritën dhe përshëndetën nga presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopullos dhe kryeministri grek, Aleksis Cipras.

Në pritje, përveç korit diplomatik dhe presidentit Pavlopullos dhe kryeministrit Cipras, të pranishëm ishin edhe shumë ministra të Qeverisë greke, mes të cilëve edhe ministri alternativ i Punëve të Jashtme, Jorgos Katrugallos, ministri i Mbrojtjes, Evangellos Apostollakis dhe zëvendësi i tij, Panajotiss Rigas, zëvendës shefat e diplomacisë greke, Markos Bolaris dhe Terens Kuik, ministrja e Mbrojtjes Civile, Olga Gerovasili, ministri i Marinës, Fotis Kuvelis, por edhe ish-shefa të diplomacisë dhe ish-kryetarë të parlamentit grek.