Kotzias: Tash është momenti i “PO-së” së madhe ose “JO-së” së madhe


endoj se po vjen momenti ta themi “po”-në e madhe ose “jo”-në e madhe dhe i kupton vështirësitë që gjenden para teje, thotë ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, në intervistë për televizionin shtetëror grek ERT në lidhje me ndodhitë e fundit në bisedimet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

“Kam ndjenja se udhëheqësia në vendin tonë mik në veri, udhëheqësia në Shkup tani, kur duhet të përfundojmë me këtë, i kuptoi vështirësitë e mëdha që ekzistojnë për implementimin e marrëveshjes dhe kjo luajti rol që të dëshirojë përsëri ta rishikojë marrëveshjen, të bisedojë për sqarime të caktuara për vetë marrëveshjen, por thellë jam i bindur dhe shpresoj se kjo, së shpejti, për disa ditë do të tejkalohet”, tha Kocias.

Ai sqaroi se kjo është ndjenja e tij, se do të përmbyllet çështja, por theksoi se “kurrë nuk duhet të thuhet kurrë, derisa nuk vijnë nënshkrimet” dhe shfaqi shpresë se kjo do të ndodh së shpejti. Shtoi se 5-10 ditë më herët ose më vonë, nuk bëjnë dallim të madh.

Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë nuk dëshiroi të zbulojë se për cilin emër janë marr vesh sepse “kjo është e përfshirë në pakon dhe do të duhet ta publikojnë dy qeveritë, gjegjësisht dy kryeministrat”.

Nga pakoja e pesë emrave të propozuara nga ndërmjetësuesi Methju Nimic, Koxias tha se në lojë janë tre (“Republika e Maqedonisë Veriore”, “Republika e Maqedonisë së Epërme”, dhe “Republika e Maqedonisë së Re”), pasi “Republika e Maqedonisë (Shkup)” u hodh poshtë nga pala greke, ndërsa “Republika e Maqedonisë së Vardarit”, nga pala e Maqedonisë.

Në lidhje me marrëveshjen, shefi i diplomacisë greke zbuloi se është 20 faqe, në fillim ishte 17, ndërsa pastaj arriti në 19, që versioni final të jetë 20 faqe.

Për ratifikimin dhe implementimin e marrëveshjes, tha se do të pasojnë hapa konkret, siç janë ratifikimi në Kuvendin e Maqedonisë, pastaj referendumi dhe ndryshimet kushtetuese, ndërsa pastaj drita e gjelbër nga Parlamenti grek.

“Fillimisht nevojitet ratifikim i marrëveshjes në Kuvendin në Shkup. Vetë Shkupi, jo ne vendosin që të mbajnë referendum, dëshirojnë të mbajnë referendum. Referendumin nuk e imponojmë ne, nuk e kërkojmë ne, nuk e imponon askush, ky është vendim politik që të mbahet premtimi i dhënë dhe ne, nga ana jonë e respektojmë plotësisht këtë vendim. Ne duhet ta kuptojmë këtë: kjo për ata nuk është vetëm një kompromis i thjeshtë, ata do ta ndërrojnë emrin e shtetit të tyre. Dhe kjo sa e di unë, ka ndodhur vetëm një herë në Evropën Qendrore, me austro-gjermanët”, tha Koxias.

Ai vlerësoi se nëse lidhet marrëveshja së shpejti, në Kuvendin e Maqedonisë do të arrijë në javët e ardhshme, referendumi me siguri do të mbahet në vjeshtë, ndërsa pas referendumit do të bëheshin ndryshime kushtetuese.

“Mendoj se nëse kalon në referendum atëherë edhe kryetari i vendit fqinj edhe deputetët do ta marrin parasysh vullnetin kombëtar. Mendoj se ky është një detyrim”, thotë shefi i diplomacisë greke lidhur me atë se çfarë do të jetë qëndrimi i presidentit të Maqedonisë dhe partive opozitare.

Në pyetjen kur marrëveshja do të arrinte në Parlamentin grek, Koxias sqaron se “marrëveshja do t’i parashikojë parakushtet për ratifikim dhe se nuk do të mund të jetë para referendumit në Shkup.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, i pyetur për atë nëse ekziston mundësi që të bëhen ndryshime në marrëveshje, thotë se “gjithçka që është dashur të bëhet, është bërë” dhe sqaroi se me kolegun e tij nga Maqedonia të dielën në mbrëmje në takimin në Bruksel, deri në orët e hershme të mëngjesit që nga fillimi e kanë shqyrtuar marrëveshjen të përfunduar dy ditë më parë në Nju-Jork dhe kanë arritur deri në ndryshimet që është dashur të bëhen.

Nikos Koxias thotë se ka vullnet edhe nga të dyja qeveritë që të gjindet zgjidhje me kompromis, diçka që është normale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Mendoj se udhëheqësia e IRJM-së sjell një vendim shumë të vështirë dhe të drejtë, për të cilin është i nevojshëm guxim i madh politik, pjekuri e madhe politike dhe mendoj se këtë e tregojnë dhe do ta tregojnë. Gjithashtu mendoj se i sqarojnë edhe përfitimet që ekzistojnë për anën e tyre”, thotë Koxias.

Lidhur me përfaqësuesin e KB-së në bisedimet për emrin, shefi i diplomacisë greke tha se “Nimic, gjendet para një suksesi të madh në jetën e tij, sepse do të përfundojë diçka në të cilën punon 25 vjet”.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, në intervistën e mbrëmshme të zgjeruar dyorëshe në televizionin shtetëror grek ERT, foli për qeveritë greke në të kaluarën që e kanë pranuar propozimin Maqedoni – Shkup, për gjuhën maqedonase të njohur në KB që në vitin 1977, për propozimin Maqedonia Ilinditase, që u hodh poshtë nga pala greke, për qëndrimin e partive opozitare tek fqinji jugor, por edhe për, siç tha “të drejtën demokratike të Kamenos që të mos votojë” për marrëveshjen në Parlamentin grek.