Kammenos: Optimist për zgjidhjen e çështjes së emrit me Shkupin


Ministri grek i Mbrojtjes Kombëtare, Panos Kammenos shprehu optimizmin e tij për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për çështjen e emrit të Maqedonisë nëpërmjet bisedimeve me Greqinë, gjatë një konference për shtyp mbi punën e Ministrisë së tij të Mbrojtjes gjatë tre viteve të fundit.

Kammenos deklaroi se një zgjidhje e tillë do të shmangte nevojën për votim në Parlament ose mbledhjen e këshillit të liderëve të partive greke nën drejtimin e presidentit grek, transmeton Albeu.com.

Duke folur si kreu i koalicionit të vogël qeverisës, ”Grekët e pavarur” (ANEL), Kammenos deklaroi se partia ishte kundër çdo emri që përfshinte termin “Maqedoni”.

Gjithashtu, ai sqaroi se termi “Maqedoni” është greqisht, ndërsa termi “Vardarska” (duke iu referuar lumit që kalon përmes dy vendeve) nuk është.

”Nëse shumica në Parlament ose liderët e partive politike bien dakord mbi emrin e propozuar vendimi do të miratohet, në të kundërt kjo nuk do të jetë e mundur”, theksoi Kammenos