Johanes Han: Maqedonia e Veriut shembull për rajonin


Komisioneri i Zgjerimit, Johanes Han, në intervistë dhënë TV Klan Macedonia në Bruksel, konfirmoi se rekomandimi pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është bazuar në plotësimin e kritereve nga të dyja vendet. Ai tha se shpreson që Këshilli të hapë dritën jeshile për të dyja vendet.

Maqedonia aktualisht mund të quhet edhe kampione e vendeve të Ballkanit sa i përket arritjeve. Vendi meriton plotësisht hapjen e negociatave, por ka shtete anëtare kokëforta si Franca që vazhdojnë të bllokojnë. Qëndrimi i Francës është i njohur: Së pari reformim i BE-së dhe pastaj zgjerim! Cili është vlerësimi Juaj?

“Maqedonia e Veriut është një provë e asaj që gjithë procesi i zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor i ngjan një ‘regate’ avancimi sipas meritës. Përshpejtimi i procesit është i mundur nëse ka lidership, kurajo dhe gatishmëri që të arrihet një marrëveshje dhe të zgjidhen konfliktet dypalëshe. Po të shohim, se ku ishte Maqedonia para vitesh dhe ku është tani, kjo tregon se ç’mund të arrihet. Dhe, jam vërtet shumë i kënaqur me rezultatin, sepse ofron një shembull shumë të mirë për rajonin. Arritja e Maqedonisë së Veriut është argumenti im më i fortë për disa shtetet anëtare që nuk do të thoja se kanë rezerva, por tregohen të kujdesshme lidhur me këtë stad. Unë ju them: ‘Është e rëndësishme që të jepet drita jeshile jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe të tregohet fuqia e perspektivës euroatlantike, se ç’mund të nxisë në termat e ndryshimit dhe perspektivave. Dhe ky është rasti më i mirë i mundshëm për vendet e tjera në rajon’.

A do të zhgënjeheshit nëse nuk ndodh në qershor? Ju keni paralajmëruar disa herë në intervista të dhëna për mediat e shteteve anëtare, që do të kishte rrjedhoja dramatike nëse vendimi s’merret në qershor?

“Jam i sigurtë që do ndodhë para pushimeve të verës dhe tërësisht i bindur për këtë. Ndaj nuk kam pse të mendoj për një zhgënjim të mundshëm, sepse performanca e vendit është kaq e arrirrë, saqë asnjë nuk mund t’a injorojë atë.