Ja për çfarë u bisedua në takimin Zaev-Thaçi


Bashkëpunimi rajonal, integrimi në NATO dhe BE, formimi i Komitetit Nacional, ndërtimi i autostradës dhe gazsjellësit Maqedoni – Kosovë, ishin temat për të cilat diskutua sot në takimin Zaev – Thaçi, transmeton Portalb.mk. Sot sërish u bë thirrje që të mbështetet referendumi në Maqedoni dhe zgjidhja e dialogut Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev njoftoi se komitete nacionale do të formohen që të krijohen strategji të reja që do të përfshijnë: lidhje energjetike, ndërtimi i gazsjellësit dhe mbajtja e seancës së përbashkët qeveritare Maqedoni – Kosovë.

“Takimi i sotëm u realizua që të shohim se çfarë mundësi hapen me përkrahjen e përbashkët për kufirin Bellanoc – Stançiq, si dhe lidhjen infrastrukturore që do të realizohet me ndërtimin e autostradës Bllacë – Shkup. Jam i bindur se kjo do ta intensifikojë bashkëpunimin ekonomik, dhe do ta rrit tregtinë ndërmjet dy shteteve tona. Një hap më para do të jetë edhe formimi i Komitetit Nacional për bashkëpunim dhe komiteteve të tjera të përbashkëta për identifikim i projekteve të përbashkëta, si dhe për ndërtimin e strategjive të reja. Lidhja energjetike, është njëra nga prioritetet tona. Maqedonia do të nxit edhe ndërtimin e gazsjellësit me Kosovën, dhe besoj se kjo do të jetë e realizueshme në bazë të procesit të Berlinit. Të gjitha këto do të gjejnë vend në seancën e përbashkët qeveritare që do të realizohet së shpejti”, tha Zaev.

Ndërkaq kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se në takim është diskutuar për reformat e rëndësishme për qytetarët, dhe për të është inkurajues nisja e punimeve nga Qeveria e Maqedonisë për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë.

“Në takim u diskutua për reformat e rëndësishme që janë në interes të vendeve dhe popullit tanë, të zhvillimit ekonomik, të krijimit të vendeve të reja të punës. Është i inkurajues fakti që edhe Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që autostrada Prishtinë – Hani i Elezit që është në përfundim, të vazhdojë edhe nga Shkupi për në Bllacë. Kjo autostradë do t’ua lehtësojë qytetarëve nga Maqedonia dhe Kosova të lëvizin lirshëm dhe të kenë një standard evropian”, tha Thaçi.