Haradinaj në samitin në Londër kërkoi 600 milionë euro për 39 projekte


Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në samitin investues të Ballkanit Perëndimor në Londër, i organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), prezantoi 39 projekte konkrete, që kapin vlerën e 600 milionë eurove.

Projektet vijnë nga sektori publik dhe ai privat dhe janë të dedikuara në infrastrukturën rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, ujit të pijshëm, projekte nga prodhimi i energjisë alternative dhe projekte të prodhimit.

Siç thuhet në kumtesë, Haradinaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka punuar në përmirësimin e fushës ligjore në favor të krijimit të ambientit më të mirë për investimet e huaja, për bizneset e vogla dhe korporatat, heqjen e taksave në disa sektorë për të stimuluar rritjen ekonomike, krijimin e një klime më të mirë investive në fushën e bujqësisë, në fushën e teknologjisë informative dhe prodhimit të energjisë alternative.

“Kosova ka popullatën më të re në Evropë – 65 për qind e saj janë nën moshën 35 vjeçare, fakt ky që e bënë tregun e punës tejet atraktiv. Të rinjtë tanë kanë përvetësuar në masë të madhe teknologjinë informative, duke u bërë një nga top vendet në botë në përdorimin e saj. Shumë prej tyre janë folës të disa gjuhëve të huaja”, ka theksuar Haradinaj.