Han: Edhe unë jam optimist se do të zgjidhet kontesti Shkup-Athinë


Synimi i Komisionit Evropian është që të japë një rekomandim të qartë për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë, por vendimin përfundimtar e marrin të gjitha shtetet anëtare, thotë komisari për zgjerim, Johanes Han, në një intervistë për Nova TV.

Për kontestin me Greqinë, i cili po bllokon rrugën e Maqedonisë drejt BE-së, Han thotë se BE po bën gjithçka për të lehtësuar bisedimet dypalëshe midis Shkupit dhe Athinës.

“Shumë me rëndësi është që Shkupi dhe Athina të ulen në një tryezë të përbashkët, të ndërtojnë besim reciprok dhe të gjejnë zgjidhje. Raportet midis dy ministrave të punëve të jashtme, si dhe midis dy kryeministrave janë në nivel dhe unë jam optimist se do të gjindet një zgjidhje”, thotë Han.