Emri, Kocijas: Manifestimi në Selanik nuk do të ndikojë në negociata


Manifestimi për çështjen e emrit të Maqedonisë që u zhvillua të dielën, në Selanik nuk do të ndikojë në negociatat me Maqedoninë, deklaroi dje në Bruksel, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocijas.

Sipas raportimeve të policisë greke, në protestën e zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit verior të Selanikut, merrnin pjesë rreth 90 000 persona. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, Kotzias deklaroi se ”pjesëmarrja e madhe në protestë ishte një pasqyrim i funksionit të demokracisë greke dhe i shqetësimit për shumë shtetas grekë që ndonjëherë krahasojnë gabimisht negociatat për emrin e Maqedonisë me fatin e Maqedonisë greke dhe ky ishte një manifestim që zhvillon më tej format e diskutimeve publike, ndonjëherë të drejta, ndonjëherë jo”.

“Nuk besoj se kjo protestë mund të ushtrojë ndonjë ndikim mbi negociatat për çështjen e emrit dhe irredentizmin e Maqedonisë”, theksoi ministri i Jashtëm, Kocijas.

“Çdo akt që dënon irredentizmin duhet mbështetur edhe më shumë, por përsa i përket çështjes së emrit të Maqedonisë , kjo do të zgjidhet në bazë të perspektivave të ardhshme të stabilitetit dhe sigurisë në zonë, rolit të diplomacisë greke dhe nevojës së Greqisë për të luajtur një rol drejtues në këtë zonë”, shtoi ai.