Derkoski: Gjithçka është gati për zgjedhjet


Kryetari i Komisionit shtetëror zgjedhor, Oliver Derkoski dhe anëtarë të KSHZ-së sot në mëngjes e ndoqën procesin e ndërmarjes dhe distribuimit të materialit votues që e përpunoi shtypshkronja e Manastirit “Kiro Dandaro”.

Komisioni shtetëror zgjedhor e ndërmori materialin e besueshëm, fletëvotimet dhe material tjetër i nevojshëm për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, si dhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Ohër, Dibër dhe Novo Sellë.

“Gjithçka është gati. Anëtarët e KSHZ-së e ngritën materialin dhe u nisën drejt destinacioneve të veta për ta dorëzuar atë materia në KKZ. Gjithçka  zhvillohet në mënyrë të përkryer dhe konsideroj se të dielën nuk do të ketë kurfarë probleme në kuptim të cilësisë së materialit zgjedhor”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Derkoski.

Në konferencën për shtyp në Manastir, njeriu i parë i KSHZ-së i demantoi lajmet e rrejshme për pamjen e fletëvotimit, të publikuara nga mediumet sociale.

“Me këtë rast dëshiroj të demantoj spekulime të caktuara që u paraqitën në rrjete sociale, ndërkaq lidhur me pamjen e fletëvotimit. Siç thamë më parë, fletëvotimi e përmban emrin e shtetit tonë, numrat rendor të kandidatëve, emri dhe mbiemri i kandidatit, dhe simbolet e partive politike të cilat dhanë pajtueshmëri për ato simbole. Shenja të tjera në fletëvotim nuk ka dhe nuk ka nevojë opinioni të  hamendësohet për gjoja shtesa të tjera”, theksoi Derkoski.

Shtypshkronja e Manastirit “Kiro Dandaro” e dëshmuar me profesionalitetin e vet dhe punën cilësore, edhe këtë vit mori për detyrë ta përpunojë materialin e përgjithshëm zgjedhor për procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Materiali zgjedhor është përpunuar në nivelin dhe cilësinë më të lartë. Fletëvotimet kanë 21 mbrojtje dhe është i pamundur falsifikimi e ndonjë flete. Mbrojtje të posaçme ka edhe për procesverbalet origjinale dhe ato nuk mund të përmirësohen e as të kopjohen. Në shtypshkronjë u përpunua edhe materiali votues për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar komune në Ohër, Dibër dhe Novo Sellë”, theksoi Dragi Millosheski, drejtor i përgjithshëm i SHA Shtypshkronja “Kiro Dandaro” – Manastir.

Nga KSHZ edhe sot përkujtuan se në listën e vetme zgjedhore janë regjistruar 1.808.131 votues, ndërsa votimin do ta zbatojnë 80 komisione komunale zgjedhore në 3.480 vendvotime.

Të shtunën në 32 vendvotime në përfaqësitë konsullare diplomatike-PKP do të votojnë qytetarë nga diaspora dhe për atë votim janë paraqitur 1.782 votues. Të shtunën do të votojnë edhe 3.583 persona të sëmurë dhe të pamundur, 1.600 të burgosur, të vendosur në burgje apo në arrest shtëpiak, si dhe shtatë persona të zhvendosur të cilët janë paraqitur në KSHZ për të votuar.