Carovska: Sot ka filluar kompensimi i kontributeve për 4.926 të siguruar


Sot ka filluar kompensimi i shtetit ndaj dy shoqatave pensionale për të siguruarit e dëmtuar, të cilët me vite nuk u janë paguar kontributet në shtyllën e dytë të pensionit. Siç kumtuan nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), me pagesën e parë janë përfshirë 4.926 të siguruarve, dhe e njëjta duhet të përfundojë deri në fund të muajit janar. Për të dëmtuarit e tjerë, kompensimi do të ndodh në muajt në vijim, njofton Portalb.mk.

Vendimi erdhi pas takimit që ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska e realizoi me drejtorin e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPI), me Agjencinë për Supervizion të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (ASFKSP) dhe shoqatave private pensionale.

“Tash për tash reforma është duke rrjedhë sipas dinamikës së paraparë, pa ndonjë vështirësi gjatë realizimit. Në vitet paraprake kemi treguar se pensionet rriten, dhe ajo do të ndodh edhe gjatë këtij viti. Pensionistët mund të jenë të qetë. Reformën të cilën jemi duke e bërë, është e balancuar, deri tek ajo kemi ardhur nëpërmjet analizave të thella, duke u kujdesur që mos ta dëmtojmë dikë. Me atë jemi duke e ulur deficitin në FSPI për dy miliardë në vit, por pa masa radikale të ngrirjes së pensioneve dhe rritjes së kufirit të pensionimit”, tha Carovska.

Siç njoftuan nga Ministria, për kompensim të 4.926 të siguruarve të dëmtuar, dhe të tjerëve që do të kompensohen, Qeveria ka ndarë 19 milionë euro nga buxheti shtetëror.