Alternativa neutrale në Dibër: Votuesit me ndërgjegjen e tyre vet të vendosin për kë do të votojnë

Alternativa përmes një kumtese ka thksuar se në këto zgjedhje lokale do të qëndrojë neutrale dhe se do të lejojë që votuesit me ndërgjegjen e tyre vet të vendosin a do të votojnë dhe, nëse votojnë, vendimi për kë do të votojnë të jetë vetëm i tyre.

,,Ashtu siç tashmë publiku i gjerë e di, kontesti gjyqësor rreth pronësisë juridike të ish partisë sonë na gjeti në kohën kur në Dibër u shpallën zgjedhjet lokale dhe ne nuk kishim mundësi juridike të konkurrojmë me kandidatin tonë. Aq më tepër që deri në çastet e fundit një parti tjetër politike dëshironte ta mbështesë kandidatin tonë dhe pastaj hoqi dorë për arsye që ne akoma nuk i dimë. Sidoqoftë, fakti është se Alternativa në këto zgjedhje nuk ka kandidat të saj për kryetar të Komunës së Dibrës. Të gjendur në këtë situatë, Alternativa – si subjekt që e ka përbrendësuar identitetin e saj Autonom dhe që nuk pranon të jetë vagon i askujt, ka vendosur që në këto zgjedhje të qëndrojë neutrale. Me këtë rast urojmë që Dibra të fitojë një kryetar që do t’i përfaqësojë denjësisht dhe do të jetë përfaqësimi më i mirë i Dibrës sonë. Po ashtu shpresojmë se në zgjedhjet e ardhshme lokale do ta bëjmë betejën e ardhshme për një Dibër të zhvilluar dhe të dashur për jetë në vatrat ton”, thuhet në kumtesën e Alternativës.