Ahmeti: Nuk dëgjoj ,,bomba” të ,,Bit-Pazarit”


Në 17 vjetorin e themelimit të BDI-së kreu i kësaj partie nuk la pa i komentuar përgjimet e publikuara në rrjetet sociale. Ai theksoi se nuk i ka dëgjuar dhe se nuk di t’i dëgjojë, por  nga ajo që i kanë treguar bashkëpartiakët e tij, bëhet fjalë për biseda private që ai i ka quajtur shaka.

“Në këtë shtet ka organe dhe ne kemi kërkuar të hapet hetim, por jo të përdoren dhe keqpërdoren në tregun e zi biseda private të përgjuara që janë shitur në Bit Pazar, Sofje, Stamboll… Pse nuk publikohen biseda zyrtare të Ali Ahmetit? Vallë, për 17 vite unë nuk kam biseda zyrtare me asnjë funksionar? Por jo, nuk publikohen biseda zyrtare. Por, edhe këto punë do të kalojnë, sepse njerëzit nuk merren me punë të padobishme”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka kërkuar organet gjyqësore të mos zbatojnë drejtësi selektive, jo vetëm në këtë rast, por edhe në gjitha rastet tjera.

,,Organet e drejtësisë nuk duhet të bëjnë drejtësi selektive jo vetëm për këtë rast dhe jo të heshtet përpara gjërave që kërkojnë rend dhe zgjidhje. BDI-ja është parti serioze që asnjëherë nuk ka sharë oponentët politikë, siç bën opozita. Me këto shpifje BDI edhe 100 vjet do të rrojë sepse kundërshtarët nuk i ka të denjë për përballje në fushë të mejdanit”, theksoi Ahmeti.