Ahmeti nga Prishtina: S’mund të ketë Shqipëri të Madhe


Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti porositi se nuk do të ketë unifikim kombëtar të Shqiptarëve në një shtet, por se ata duhet t’i përforcojnë shtetet ku jetojnë dhe së bashku të integrohen në Bashkimin Evropian.

Ahmeti mbrëmë në emisionin “Presing” në televizionin e Prishtinës T7 tha se “nuk ka shqiptar i cili nuk e dëshiron Shqipërinë dhe i cili nuk dëshiron unifikim kombëtar”, por se punët kanë ndryshuar shumë nga vitet e 90-të të shekullit të kaluar.

“Shqiptarët tani duhet të tentojnë për t’u bashkuar në Evropë, me integrimin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Alternativë tjetër nuk ka. As për Shqiptarët, as për fqinjët tanë”, tha Ahmeti.

Duke folur për idetë për ndarjen territoriale, lideri i BDI-së tha se “koncepti i ndarjeve është i dëmshëm për shqiptarët”.

“Në radhë të parë, nuk keni asnjë mënyrë si të ndaheni. Nuk mund të ndani kufijtë as me fije peri e as me vizore”, tha Ahmeti.

Për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”, lideri i BDI-së tha se ky koncept shqiptarëve ia kishin imputuar të tjerët.

“Nuk është Shqipëria as e madhe, as e vogël. Është aq sa është”, tha Ahmeti në intervistën për televizionin e Prishtinës.