17 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, rruga për Bruksel, kalon përmes Ohrit


Në suaza të shënimit të 17 vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, mbahet sot Panel tematik “Rruga deri në Bruksel përmes Ohrit”, në organizim të Sekretariatit për Çështje Evropiane.

“Sot, Republika e Maqedonisë është drejtuar drejtë një sfide që është më e rëndësishmja në historinë më të re të saj-sfidë për të kompletuar integrimin e saj të jashtëm. Përmes këtij paneli do të mundohemi të krijojmë lidhje përmes Ohrit, si simbol i integrimit evropian, dhe Brukselit, që simbolizon integrimin tonë të jashtëm, respektivishit aspiratën tonë për anëtarësim të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, informojnë nga SÇE.

Në panel, krahas kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, si mysafir special fjalën e tyre do të kenë: sër Barni Vajt Spuner, gjeneral i mëparshëm i Armatës Britanike dhe komandant i NATO-s në Republikën e Maqedonisë, gjatë kohës së nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë, Evelin Farkash-ndihmës asistent-sekretare e mbrojtjes për Evropë dhe Azi në administratën e Obamas, përgjegjëse për politikën e ShBA-ve ndaj Ballkanit, Dafina Jovanovska – Stojanovska, deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë si përfaqësuese e partisë opozitare VMRO-DPMNE, parti nënshkrues e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Me panelin kryeson zëvendëskryetari i Qeverisë, për Çështje Evropiane Bujar Osmani, i cili është edhe negociatori kryesor me Bashkimin Evropian.