Zaev nuk përjashton mundësinë e zgjerimit të koalicionit me Besën dhe PDSH-në


Partia më e madhe në pushtet, LSDM-ja nuk përjashton mundësinë e zgjerimit të Koalicionit qeveritarë edhe me dy partitë opozitare shqiptare, Besën dhe PDSH-në. Megjithatë negociata serioze në këtë drejtim, nga LSDM-ja paralajmërojnë pasi Qeveria të përfundojë punët me prioritet që ka.

„Kur bëhet fjalë për interesin shtetëror të gjitha opsionet janë të hapura, në këtë rast është i hapur opsioni i zgjerimit të Qeverisë. Konkretisht opsioni i përfshirjes të Besës në pushtetin ekzekutiv është i hapur. Ndërsa nuk e përjashtojmë as mundësinë e përfshirjes të PDSH-së“, bëjnë me dije nga LSDM-ja.

Mundësinë e zgjerimit të Qeverisë nuk e konfirmuan, por as e përjashtuan nga BDI-ja. Nga partia e integristëve thanë se momentalisht janë të fokusuar në realizimin e reformave dhe se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Kryetari i sapo zgjedhur i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, ka theksuar gatishmërinë për t’iu bashkëngjitur koalicionit qeveritar dhe paralajmëroi se për këtë do të negociojë me kryeministrin, Zoran Zaev.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) pritet që së shpejti të jetë pjesë e qeverisë, pasi kryeministri Zoran Zaev dhe partneri i koalicionit Ali Ahmeti të vendosin për riformatimin e qeverisë.

Burime të besueshme qeveritare, duke folur me kusht anonimiteti, i thanë KDP-së Thaçi dhe Zaev kanë komunikim intensiv për detajet e pjesëmarrjes së PDSH në qeveri. Në të njëjtën kohë, burimet njoftojnë se kreu i PDSH ka takuar edhe Ali Ahmetin me qëllim të harmonizimit të prioriteteve në koalicionin qeverisës.

Thaçi mësohet të ketë mbështetjen edhe të BESË-s së udhëhequr nga Afrim Gashi dhe bashkë me të numërojnë 5 deputetë, të cilët do të funksionojnë si grup parlamentar.

Ende nuk dihet se si do të ndahen resoret dhe pozicionet në qeveri pasi, sipas burimeve, tani bisedohet për çështje parimore e jo për poste.

Koalicioni i tanishëm qeverisës LSDM-BDI ka një shumicë të luhatshme parlamentare prej 60 deputetëve. Kohë më parë dy deputetë nga koalicioni i VMRO-DPMNE u rreshtuan në anën e shumicës, gjë që mundësuan që të votohen ligjet e propozuara nga qeveria.

Me deputetët e PDSH-së dhe të BESËs kjo shumicë pritet të numërojë 67 deputetë, gjë që do të mundësojë Parlametin të funksionojë pa pengesa. Deri më tani, delegacionet e Parlamentit nuk kanë mundur të udhëtojnë jashtë vendit për vizita zyrtare shkaku i shumicës së brishtë. Me këtë rifomatim, burimet thonë se përveç kalimit të ligjeve, do të zhbllokohen edhe deputetët që të realizojnë vizita jashtë vendit.