Vazhdon edhe sot gjykimi për sulmin ndaj Selës
Pas dëshmisë së deputeti dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela për dhunën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar, sot në Gjykatën penale duhet të vazhdojë gjykimi i të akuzuarve për tentativën për vrasjen e tij.
Në deklaratën e tij dhënë dje në Gjykatë, Sela shpjegoi momentet kritike, duke potencuar goditjet në kokë me ekran kompjuteri, goditjet me shtizë flamuri dhe grushtet. Përveç të akuzuarve, për të cilët tha se një pjesë të tyre i ka parë në sallën e konferencave, Sela përmendi edhe një gazetare e cila i është kërcënuar me fjalët “do ta shihni se çfarë do t’ju gjej”, në momentet kur ai bashkë me Syrija Rashidin ka bërë plane të shkojnë në zyrat e tyre në Kuvend. Megjithatë, theks të veçanta Sela i kushtoi mungesës së incizimeve nga kamerat e sigurisë kur ai është sulmuar brutalisht. Për këtë, sipas Selës fajtorë janë edhe organet e Qeverisë aktuale të cilët nuk qartësojnë dilemat, ka ose jo incizime të tilla.
Para trupit gjykues Sela kujtoi momentet se si është larguar nga salla me hamendje si pasojë e goditjeve, si ka rënkuar në korridor dhe si ka ndje goditjet e para në kokë me shqelma dhe grushte. Ai madje shpjegoi edhe fjalët që ka dëgjuar nga protestuesit “Ja Sela. Ejani, ja ku është Sela”. Në mesin e personave që ka njohur është edhe Igor Jug, i akuzuar aktualisht për “udhëheqje të turmës” e që në ditën kritike në sallën e konferencave shihet teksa lëviz me armë të ftohtë në duar. Sela madje përmendi edhe evakuimin e tij të veshur me fanellë dhe me një logo të policisë në krahë, ku personat që e kanë larguar nga Kuvendi kanë aktruar se gjoja ka polic të lënduar. Në këtë kontekst ai përmendi edhe konfliktin që njerëzit e tij kanë pasur me ish ministrin e Shëndetësisë, Nikolla Todorov i cili ka kërkuar që Sela të dërgohet në Spitalin e Qytetit, por që Arben Taravari dhe ekipi tij kishin përgatitur Qendrën Klinike në Spitalin Shtetëror.