Skenarë të ndryshëm për referendumin dhe marrëveshjen me Greqinë

Robert Nesimi

Marrëveshja me Greqinë, e cila premton të hapë dyert e eurointegrimeve për Maqedoninë, akoma ka ca pengesa për të kaluar muajt e ardhshëm. Së pari ajo duhet të kalojë në referendumin që është caktuar për 30 Shtator, e më pas duhet të ratifikohet në Parlament së bashku me ndryshimet kushtetuese që kërkon. Edhepse jam i sigurtë se në fund marrëveshja do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi, ngjarjet e muajve të ardhshëm mund të zhvillohen në disa mënyra, me rezultate të ndryshme përfundimtare. Gjërat kryesisht varen nga rezultati i vetë referendumit, që mund të kalojë apo dështojë, por më me rëndësi është mënyra si ai kalon apo dështon. Determinantat kryesore do të jenë (mos)arritja e cenzusit prej 50% dhe nëse shumica e atyre që votojnë do të japin votën pro marrëveshjes. Më pas gjithçka është në duart e Parlamentit, i cili do t’a ketë fjalën e fundit pasi vetë referendumi është konsultativ.

1. Referendumi kalon. Natyrisht ky është verzioni i preferuar për këdo që don kalim të shpejtë dhe të lehtë të marrëveshjes. Në këtë skenar mbi gjysma e votuesve dalin në votime dhe shumica e tyre votojnë pro-marrëveshjes. Parlamenti më pas do t’a ratifikonte marrëveshjen dhe ndryshimet e duhura kushtetuese. Në të njëjtën kohë kjo do t’i hapte rrugë edhe VMRO-së për të votuar ratifikimin, pasi do t’a kishte të rëndë të spjegojë pse refuzon të njohë vullnetin e shumicës. Ratifikimi do të kalonte me konzensus të gjërë, me çka do të heshtej çfarëdo kundërshtimi edhe në të ardhmen.
Mirëpo ky skenar nuk duket shumë i mundshëm për momentin, pasi VMRO akoma nuk ka dalë me qëndrim nëse do të merr pjesë në referendum. E thënë troç, referendumi nuk ka gjasa të kalojë pa pjesëmarrjen e saj.
Problemi më i madh këtu janë listat e fryra të votuesve, ku janë regjistruar rreth 1.800.000 votues, apo 90% e gjithë popullatës. Ky problem, që partitë politike me ëndje e kanë injoruar në të kaluarën, tani ju kthehet bumerang në momentin më të keq të mundshëm. Kjo do të thotë se për referendum të suksesshëm në referendum duhet të dalin të paktën 900.000 votues. Duke ditur se numri i zakonshëm i votuesve në zgjedhje sillet rreth 1 milionë, kjo do të thotë se edhe ndonjë abstenim modest e dënon referendumin me dështim. Pa VMRO-në operacioni bëhet i pamundshëm, madje dalja vihet në dyshim edhe me pjesëmarrjen aktive të saj në proces.
Prandaj hë për hë është më e sigurtë të supozohet se referendumi do të dështojë për shkak të dajes së ulët.

2. Dalja është e mjaftueshme por referendumi dështon. Ky skenar është më pak i mundshmi. Në këtë rrjedhë ngjarjesh në referendum del një numër i mjaftueshëm votuesish, por shumica voton kundër marrëveshjes. Mirëpo nëse në referendum del numri i zakonshëm i votuesve, atëherë me një dozë kujdesi i bie që shumicën do t’a përbëjnë rreth 550.000 vota. Por forcat pro-marrëveshjes mund t’a arrijnë këtë shifër lehtësisht. Të gjitha partitë shqiptare, me gjithë shumicën absolute të qytetarëve shqiptarë, e aprovojnë marrëveshjen, kështuqë për të automatikisht do të kishte 250.000 vota që në fillim. E njëjta mund të pritet edhe nga etnitë tjera. Më pas do duhen nja 250.000 vota shtesë nga maqedonasit, apo një e treta e atyre që votojnë zakonisht. Shumica pra arrihet lehtë edhe nëse secili simpatizues i VMRO-së voton për marrëveshjen.
Prandaj është normale të pranohet që nëse referendumi arrin cenzusin e duhur, shumica do të votojnë për marrëveshjen dhe ai do të jetë i suksesshëm, gjë që na kthen te skenari i parë.

3. Referendumi dështon sepse nuk arrin daljen e nevojshme. Me përjashtim të ca anketave optimiste dhe dubioze, për momentin ky duket skenari më i mundshëm. Në këtë rast një numër i madh votuesish dalin në referendum, por nuk arrihet 50% i nevojshëm. Mirëpo një shumicë e madhe votojnë pro marrëveshjes.
Pasi referendumi nuk është ligjërisht detyrues, Parlamenti mund t’a ratifikojë marrëveshjen edhe në rast dështimi. Një shumicë e madhe pro, madje edhe pa arritur cenzusin e nevojshëm, përbën bazë të shëndoshë për argumentin se marrëeshjen e aprovojnë ata që kanë thënë fjalën e tyre. Normalisht sfidë e rradhës do të jetë gjetja e 80 votave për ndryshime kushtetuese, që do të thotë se 10 apo më shumë deputetë nga koalicioni i VMRO-së duhet të binden që të votojnë për. Qeveria do duhet të bëjë lloj-lloj manevrash për të siguruar këto vota, që padyshim do të lë pasoja politike për të, por megjithatë kjo është gjë që bëhet.

4. Referendumi dështon dhe Parlamenti nuk e ratifikon marrëveshjen. Në esencë kjo do të thoshte se Maqedonia ka vendosur të refuzojë marrëveshjen me Greqinë dhe heq dorë nga e ardhmja e saj në NATO dhe BE. Ky do të ishte vendimi më fatzi që vendi mund të marrë për një kohë të gjatë dhe do t’a lëkundte shtetin në themel, për faktin e thjeshtë që një numër i madh banorësh, posaçërisht shqiptarët, asnjëherë nuk do të pranojnë lehtë një të ardhme me dyer të mbyllura drejt Perëndimit dhe shikim kah Lindja. Mu pasi kjo është aq e rrezikshme për të ardhmen e shtetit, besoj që ky skenar nuk është shumë i mundshëm dhe se Parlamenti do të ratifikojë marrëveshjen pa marrë parasysh rezultatin e referendumit.

Natyrisht SDSM dhe kryeministri Zaev do të paguajnë çmim të rëndë politik nëse ngjarjet zhvillohen kësisoj, por fundja mu këto janë situatat që ndajnë burrështetasit nga politikanët, e kjo është pikërisht ajo që SDSM premtuan se do të jenë.