Dy ministra dhe shumë funksionarë të BDI-së në mars përshëndeten nga Qeveria?!


Së paku dy ministra janë në listën e funksionarëve të BDI-së që do të ndërrohen me rikonstruimin e Qeverisë të paralajmëruar në muajin mars.
Kjo bëhet e ditur nga burime brenda LSDM derisa në Reçicën e Vogël po mbretëron heshtje për emërimin e funksionarëve, por edhe lidhur me rikonstruimin e qeverisë të paralajmëruar dje nga ana e kryeministrit Zaev.

“Po sa jemi të informuar dy ministra do të ndërrohen, ashtu do të ketë ndryshime edhe në radhët e tona. Ahmeti që në fillim të formimit të Qeverisë i ka dhënë mandatin Zaevit që si kryeministër të bëj vlerësimin e ministrave dhe me konsultim të përbashkët të vlerësojë dhe të vendos për largimin e ndonjërit prej tyre. Sa kemi informacione shumë funksionarë të tjerë do të largohen”, theksoi një zyrtar i LSDM-së.

Deri tani nuk ka emra se cilët ministra do të largohen, por kjo do të varet nga punët që kanë kryer gjatë muajve të parë të qeverisë së koalicionit.

Ndërsa, gati 90 për qind e drejtorëve pritet që të ndërrohen, sidomos ata që kanë qenë deri në dy mandate në postet e larta qeveritare. Një pjesë e tyre po insiston që të qëndrojnë për shkak të viteve për pensionim dhe disa të tjerë duke gjetur edhe arsyetime të tjera. Në selinë e BDI-së heshtje dhe se këto dy ditë po hartohen e ndryshohen listat e drejtorëve dhe funksionarëve që do të dalin e hyjnë nga Qeveria.