Anketuesit e mirë dhe të dobët në Maqedoni

Shkruan: Robert Nesimi

Çështja e emrit, perceptimi për punën e institucioneve shtetëore, besimi tek ta, rejtingu i partive politike dhe aktorëve tjerë shtetërorë e publikë, korrupsioni, rëndësia e marrëdhënieve ndëretnike, integrimet euroatlantike e të tjera. Disponimi i qytetarëve për këto dhe çështje tjera janë treguesit më të mirë të vullnetit politik të shoqërisë dhe do duhej të ishin udhërrëfyesi kryesor për drejtimin që duhet të marrë qeveria. Për fat të keq këto çështje nuk kuantifikohen, as nuk maten lehtë me ndonjë formulë precize dhe direkte, e prandaj barra kryesore për të na dhënë indikacione ju bie kryekëput anketuesve. Por as vetë procesi i anketimit nuk është qind për qind i saktë, gjë që len dilema se si duhet të lexohen rezultatet e tyre. Përveç kësaj anketuesit në Maqedoni kanë histori të gjatë të prognozave të gabuara ose manipulimit direkt për qëllim propagande, që shkakton dyshime të mëdha për besueshmërinë e tyre.

Natyrisht të gjithë anketuesit nuk gabojnë njësoj apo në të njëjtën vijë. Si ti dallojmë atëherë prognozat e besueshme dhe t’i ndajmë anketuesit e mirë nga të dobëtit? Mënyra e vetme është që prognozat e tyre të maten karshi ndonjë fenomeni që mund të matet direkt dhe saktë, e këto janë rejtingjet e partive që periodikisht testohen në zgjedhje. Kështu duke u nisur nga zgjedhjet e fundit parlamentare kemi krahasuar rezultatet e vërteta me prognozat e anketuesve gjatë muajit të fundit para zgjedhjeve. Nga dallimet në rezulat mund të bëhet tabelë që tregon saktësisht cilët anketues kanë qenë të mirë dhe cilët tendenciozë.

Në zgjedhjet parlamentare 2016 parti e parë ishte VMRO e cila fitoi 38% të votave të përgjithshme, e pasuar nga SDSM me 36,8%. E treta ishte BDI me 7,3%, pastaj Besa me 4,9%, Aleanca me 3% dhe PDSH me 2,6%.

Në periudhën para zgjedhjeve aktivë ishin 6 anketues, ndërsa për secilin prej tyre është marrur parasysh vetëm anketa e tyre e fundit. Saktësia e tyre është matur me mesataren e gabimeve për çdo parti veçmas. Rradhitja e saktësisë, duke filluar nga më i sakti, atëherë është: Rejting me gabim mesatar 2,1%, pastaj TV-Telma me M-Prospekt me gabim 7,0%, Faktor Plus Adria 8,3%, Brima-Gallup 11,3%, Pavel Shatev 13,7% dhe i fundit Dimtrija Çuposki me gabim mesatar 15,1%.

Tabela e mësipërme qartë tregon se anketues i vetëm i besueshëm është Agjensioni Rejting i cili qëndron shumë para tjerëve. Telma dhe Faktor Plus Adria janë anketues mesatarë, ndërsa tre të tjerët mund lirisht t’i injorojmë.

Megjithatë kjo nuk është e vërteta e plotë për anketuesit. Siç mund të supozojnë edhe lexuesit gabimet te Pavel Shatev dhe Dimitrija Çuposki vijnë nga nënçmimi i plotë i SDSM dhe mbivlerësimi i VMRO edhe atë me dallim total 16% nga rezultati i vërtetë. Faktor Adria dhe Telma poashtu kanë nënvlerësuar SDSM-në, por vetëm me 6%, ndërsa më afër rezultatit ishte Rejting me gabim total VMRO-SDSM prej vetëm 1,4%. Kjo do të thotë se për raportin VMRO-SDSM si anketues i besueshëm mund të merret vetëm Rejting, Faktor Adria dhe Telma duhet të lexohen me një dozë rezerve, ndërsa anketuesit tjerë të përjashtohen.

Te blloku shqiptar i partive situata është shumë më e ndryshme. Këtu përsëri Rejting është i pari, por pas tij vijnë Pavel Shatev dhe Dimitrija Çuposki. Faktor Adria dhe Telma janë shumë më të dobët, ndërsa Brima-Gallup gabon në masë të njëjtë sa tek maqedonasit. Në përgjithësi vërehet mbivlerësim i BDI dhe PDSH dhe nënvlerësim i partive të reja Besa dhe Aleanca.

Posaçërisht dëshpëruese për bllokun politik shqiptar janë anketat e Telma në bashkëpunim me M-Prospekt. Kështu ky anketues nuk arriti të gjejë as rradhitjen e saktë në zgjedhjet e fundit, gjë që duhej të ishte tejet e lehtë për cilindo njohës të rrethanave politikë në vend. Sipas këtij anketuesi në zgjedhje parti e dytë do të dilte PDSH, para Besës dhe Aleancës. Më tutje ky anketues dha prognozë për secilën njësi zgjedhore veçmas, sipas së cilës dilte se BDI do të fitojë 14 deputetë, PDSH dhe Besa nga 5 dhe Aleanca 1. Për këdo që merret me anketime ky gabim duhej të ndizte alarmin për të ndryshuar modelin e tij të anketimit, por për fat të keq ky anketues vazhdoi me prognoza të ngjashme edhe pas zgjedhjeve, që përsëri dolën të dështuara në zgjedhjet lokale.

Normalisht anketimi i popullsisë nuk është punë e lehtë, e kjo sidomos vlen në Maqedoni, ku akoma ka drojë nga reperkusionet nëse flitet publikisht për preferencat politike. Por fakti që agjensioni Rejting ishte shumë afër rezultatit të saktë tregon se kjo nuk është gjë e pamundshme. Kjo jep shpresë se në të ardhmen edhe anketuesit tjerë do të përmirësojnë modelet e tyre, apo se do të paraqiten anketues të ri më profesionalë, natyrisht nëse nuk kanë ndonjë agjendë politike të përcaktuar qëparë.

Por kështu siç qëndrojnë punët, rezultatet e të gjithë anketuesve, me përjashtim të Rejtingut, duhet të merren me një dozë të madhe rezerve. Posaçërisht duhet patur kujdes me prognozat e Pavel Shatev dhe Dimitrija Çuposki kur bëhet fjalë për bllokun maqedonas dhe për dyshen Telma-M Prospekt kur japin prognoza për bllokun shqiptar.