Tridhjetë ditë paraburgim për babë e bir – dilerë të drogës

Prokuroria Themelore Publike Tetovë solli urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër babë e bir, për të cilët ekziston dyshim bazë se kanë kryer vepër penale – prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substanca psikotrope dhe prekusorë.

“I dyshuari 53-vjeçar banor i Tetovës dhe i biri i tij 27 vjeçar si bashkëveprues kanë mbajtur 9450,00 gram drogë narkotike marihuanë. Më 30 gusht, pas pompës së benzinës në Tetovë, të dyshuarit e kanë parkuar automjetin e tyre të markës ‘BMV’ me qëllim që të kryejnë shitjen e drogës. Nëpunësit policorë nga SPB Tetovë, e kanë vërejtur automjetin dhe drogën në të dhe menjëherë e kanë konfiskuar”, kumtoi Prokuroria Publike.

Prokurori publik i cili vepron në këtë lëndë, ka vlerësuar se ka nevojë për sigurim në praninë e të dyshuarve për zhvillim pa pengesa të procedurës hetimore dhe për këto arsye deri tek gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën themelore Tetovë dorëzoi propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit. Gjykata, dy të dyshuarve u caktoi paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditëve.