Strategjia e paqartë e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimorë


Të martën e ardhshme, më 6 shkurt, Komisioni Evropian pritet të publikojë strategjinë për Ballkanin Perëndimorë dhe afatet e mundshme të anëtarësimit të këtyre vendeve në BE.

Publikimi i strategjisë është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.

Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.

Hapi i parë është publikimi i raportit të Komisionit më 6 shkurt në Strasburg. Projekt dokumenti që është ende duke u diskutuar, me gjithë përfshirjen e të gjashtë vendeve të rajonit, parasheh që Serbia dhe Mali i Zi të hyjnë më parë se vendet e tjera në Bashkimin Evropian, ndoshta para vitit 2025.

Për katër vendet tjera, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe Kosovën thuhet se deri atëherë duhet të jenë thellë në procesin e anëtarësimit. Por, derisa për Shqipërinë e Maqedoninë paralajmërohet që shpejt të hapin negociatat për anëtarësim, Bosnja mund të marr vitin që vjen statusin e vendit kandidat. Kosova përmendet në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kushti kryesor për Beogradin në përparimin e tij drejt Bashkimit Evropian. Viti që vjen parashihet si periudhë e përmbylljes së procesit të këtij normalizimi.

Përcaktimi i Serbisë dhe Malit të Zi si vendet e para që mund të anëtarësohen ka lënë shije jo të mirë tek vendet tjera posaçërisht në Kosovë, ku druhet se përparimi më i shpejtë i Serbisë do të mund të bllokonte përparimin e saj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Kosova është pjesë e strategjisë dhe shqetësimi i saj ka të bëjë me afatet kohore.

“Nëse thuhet për Serbinë çka ndodh në vitin 2021- 2025 ne duam që edhe për Kosovën të thuhet se çfarë do të bëhet në këto vite. Nëse Serbia bëhet shtet anëtar i BE-së për shkak të reformave të brendshme dhe dialogut me Kosovën, ne duam që edhe Kosova të bëhet anëtar për shkak të reformave dhe dialogut me Serbinë, kjo është qasja jonë”, tha ai.

Kërkesat e Kosovës janë përfshirë në një letër që autoritetet thanë se u kanë drejtuar zyrtarëve evropianë.

Hartimi i dokumentit të strategjisë së zgjerimit është përcjellë edhe më letra të joformale të të paktën 15 vendeve të BE-së dhe asnjë nuk ka vënë në pikëpyetje faktin që në procesin e zgjerimit duhet të përfshihen gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë, përveç Spanjës, e cila në letrën e saj thekson se “koncepti ‘Ballkani Perëndimorë’ nuk i përgjigjet ritmit të zgjerimit. Kosova nuk është pjesë e procesit të zgjerimit dhe ka kuadrin e saj të marrëdhënieve nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”.

Në letrën e dorëzuar nga Spanja thuhet se zgjerimi nuk është instrument i parandalimit të konflikteve”, ndërsa kërkohet që t’i jepet përparësi përshpejtimit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, meqë nuk mund të gjendet zgjidhje afatgjate për këtë konflikt nëpërmjet imponimit të rezultateve të njëanshme”.

Letrat joformale nuk kanë karakter detyrues për Komisionin Evropian, por letra e Spanjës mund të jetë paralajmërim i qëndrimit të saj në zhvillimet e mëtejshme gjatë këtij viti.

Spanja e përballur e problemin e Katalonjës që kërkon pavarësi, është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur dhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.

Kosova ndërkaq përfitoi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon. Ajo ka dështuar deri tash të përmbushë edhe një nga kriteret kryesore për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza, duke mos e ratifikuar një marrëveshje për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ditën kur publikohet strategjia për Ballkanin Perëndimorë, Kosova pret kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç. Nuk është e qartë nëse çështja e kufirit mund të marrë ndonjë kahje tjetër pas asaj vizite, por autoritetet në Kosovë duket se janë vënë në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje që do të zhbllokonte situatën.

Krahas kësaj çështjeje, pozicionin e Kosovës e ka rënduar edhe një nismë për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë që do të trajtojë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999 që përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s./VOA