Ridefinim në Lindjen e Mesme dhe Ballkan


Robert Nesimi

Dy momente nga java e kaluar, në pamje të parë të parëndësishme, sinjalizuan një ndryshim radikal në Lindjen e Mesme. Së pari plot kanale dhe disa shtete arabe ndaluan emitimin e serialeve turke. Më pas, në një deklaratë për media, trashëgimtari i fronit arab Muhamed Bin Salman tha se Turqia është pjesë e aksit të së keqes bashkë me Rusinë dhe Iranin. Dy momentet gjithsesi janë ngushtë të lidhura njëri me tjetrin. Njëherë e mirë ato bëjnë me dije se bota arabe, e grupuar rreth Arabisë Saudite dhe Egjiptit, po mbaron koketimin me dydekadësh me Turqinë dhe gjithnjë e më tepër e sheh atë si armike, siç nuk ka qenë nga koha e shkatërrimit të Perandorisë Osmane.

Lëvizjet e këtilla nuk ndodhin rastësisht. Muhamed Bin Salman, i njohur shkurtë si MBS, është figurë e re në skenën politike arabe, por shpejtë po bëhet njëri nga aktorët kryesorë të saj. Duke thyer traditën gjysmëshekullore saudite ai u bë trashëgimtar i fronit dhe mbret i ardhshmë edhepse është vetëm 32-vjeçar. De fakto ai veçmë është udhëheqësi i vërtetë i Arabisë Saudite. Në botë u bë menjëherë i njohur me arrestimin e një numri princash e funksionarësh sauditë gjoja për korrupsion. Hë për hë ai shihet si shpresa kryesore dhe e ardhmja e botës arabe, si burrështeti që premton reforma të thella ekonomike, sociale dhe kulturore në Arabinë Saudite dhe njeriu që do t’i vë fre potencës së klerikëve vehabistë sauditë dhe do të kthejë këtë shtet drejt një islami më tradicional dhe më të moderuar. Ç‘është edhe më e rëndësishme ai ka lidhje të ngushta dhe mbështetjen e plotë të administratës amerikane, ndërsa javën e kaluar u prit me nderime të larta në Britaninë e Madhe. Pra është mëse e sigurtë se hapat e tij vis-a-vis Turqisë, Rusisë dhe Iranit janë bërë në koordinim të plotë me politikën e jashtme perëndimore, si dhe aleatët arabë në rajon.

Natyrisht e gjithë kjo nuk është diçka e re, sa është vazhdimësi e ridefinimit që ndodh në Lindjen e Mesme, e që në njëfarë mënyrë daton nga koha e Luftës së Ftohtë. Bota arabe sunite, me në krye Arabinë Saudite dhe Egjiptin, të pasuara nga Jordani dhe vendet e Gjirit, përsëri po rreshtohen fuqimisht me Perëndimin. Ndryshimi i madh gjithsesi është Turqia. Nëse gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ajo ishte e orientuar drejt Perëndimit dhe ishte e painteresuar për Lindjen e Mesme, vitet e para të sundimit të Erdoganit shënuan hapjen e Turqisë ndaj botës araba dhe shtrirjen e ndikimit të saj në Lindjen e Mesme, të frymëzuar nga politika “zero probleme me fqinjët” e Davutogllu. Por vitet e fundit duket se kjo politikë është braktisur plotësisht ose thjeshtë ka dështuar. Rast pas rasti Turqia e gjen veten në konflikt me partnerët e saj perëndimorë dhe “aleatët” arabë. Edhepse nominalisht anëtare e bllokut perëndimor të NATO-s, pozicionet e saj gjithnjë e më tepër duken në vijë me armiqtë kryesorë të Perëndimit në rajon, Rusinë dhe Iranin. Siç janë duke vajtur punët duket se ajo vërtetë po bëhet pjesë e këtij boshti, përkundër boshtit antagonist pro-perëndimor. Ngjarjet në Siri ndoshta do të jenë katalizatori dhe përshpejtuesi kryesor i këtyre zhvillimeve gjeopolitike, ndërsa goditjet anti-turke të arabëve dhe retorika e ashpër e MBS tregojnë se sa larg kanë shkuar punët në këtë drejtim.

Zhvillimet e këtilla gjeopolitike nuk janë pa pasoja as në Ballkan. Përjashto Iranin, lojtarët e fuqishëm gjeopolitikë edhe këtu janë po të njëjtit si në Lindjen e Mesme. Dekadën e fundit Ballkani gjeopolitikisht është kthyer 100 vite pas, epokë kur ai ishte fushëbetejë e ndikimit rus, turk dhe perëndimor, të përfaqësuar atëbotë nga Austro-Hungaria. Po të njëjtat ndikime përsëri kanë dalur tash në plan të parë, ku aspiratat pro-perëndimore janë mishëruar me integrimin e vendeve të Ballkanit në NATO dhe BE. Po këto aspirata duket se kundërshtohen nga dy faktorët tjerë në Ballkan, gjegjësisht Rusia dhe Turqia, sepse integrimi euroatlantik definitivisht do të vështirësonte ndikim e tyre, ose më konkretisht të putinizmit dhe erdoganizmit, nëse jo të vetë dy shteteve.

Në këtë kontekst nuk është e rastësishme që lojtarët më të zëshëm kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë dhe rrjedhimisht integrimit të saj dhe gjithë rajonit në strukturat euroatlantike, që do të thoshin triumf të ndikimit perëndimor, janë pikërisht Rusia dhe Turqia. Në këtë vijë duhet të lexohen edhe inkurajimet e tyre që Maqedonia të qëndrojë stoike dhe e palëkundur sepse ka të drejtën në anën e saj. Është mëse e qartë se as Rusisë, e as Turqisë, nuk iu intereson fare populli maqedonas dhe dinjiteti i tij, sa iu pengon stabilizimi i raporteve të Maqedonisë me Greqinë dhe i gjithë rajonit në përgjithësi. Njëlloj si në Lindjen e Mesme, Rusia dhe Turqia, të paktën nën Putinin dhe Erdoganin, i lidh kundërshtimi i ndikimit perëndimor dhe njëlloj si në Lindjen e Mesme ata e gjejnë veten në anën e njëjtë kundër strukturave perëndimore.

Sigurisht është e mundshme që këto trende të konflikteve gjeopolitike përsëri të ndërrojnë kahje, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Por kjo duket thuajse e pamundshme në rastin rus, sepse është e qartë se aty edhe gjatë kohë do të sundojë Putini me botëkuptimin e tij fundamentalisht anti-perëndimor. Enigma e vërtetë mbetet Turqia nën Erdoganin. A do të vazhdojë ajo rrymimin anti-perëndimor të kohëve të fundit, apo do të rikthehet në bllokun ku ka kaluar gjithë Luftën e Ftohtë, e vetëdijësuar se historikisht kërcënimin e vërtetë ekzistencial e ka patur pikërisht nga rusët? Nga ky faktor në të ardhmen do të varet edhe politika jonë karshi Turqisë; nëse do të vazhdojmë t’a kemi mik dhe partner apo do të detyrohemi t’a shohim si pjesëtare të një blloku kundërshtar.