Reformat e vështira në arsim


Punonjësit e arsimit në Maqedoni kanë përshëndetur vendimin e dikasterit të arsimit për të bërë reforma thelbësore në arsimin fillor. Ata theksojnë se reformave duhet t’u paraprijë një studim i thellë që më vete do të gërshetojë gjendjen në institucionet arsimore, rikualifikimin e kuadrit mësimor, përpunimin e teksteve shkollore, si dhe përgatitjen e një plan- programi që do të jetë në përputhshmëri me realitetin e botës elektronike, në të cilën zhvillohet nxënia e dijes tani dhe veçanërisht në të ardhmen.

Gjatë këtij muaji, ministrja e Arsimit të Maqedonisë, Renata Deskoska, në kuadër të prezantimit të një vargu ndryshimesh që parashihet të pësojë programi mësimor në arsimin në ciklin e ulët të arsimit fillor ka bërë të ditur se fillimisht parashihet shkurtimi i lëndëve mësimore, si dhe orari mësimor.

Ministrja Deskoska ka sqaruar se ndryshe nga deri më tani, nxënësit nga klasat e para do të kenë vetëm katër lëndë mësimore dhe lëndën e Gjuhës amtare, Gjuhën angleze, lëndën Bota rreth nesh, si dhe lëndën e Artit që përfshinë edhe Muzikën dhe Edukatën fizike.

Risi tjetër është dhe ajo se nxënësit e ciklit të ulët të arsimit fillor, nuk do të jenë të angazhuar me detyra shtëpie, por të gjitha detyrat do të realizohen brenda orëve të mësimit, kurse një orë parashihet të zgjasë 55 minuta duke pasur dhe nga 15 minuta pushim brenda orëve mësimore, shkruan REL transmeton Zhurnal.mk

Në këtë drejtim, Teuta Zllatku mësimdhënëse në klasat e ciklit të ulët të arsimit fillor për Radion Evropa e Lirë thotë se reformave duhet t’u paraprijë një studim thelbësor që ata mos mbeten vetëm si orvatje për të përmirësuar arsimin.

“Në sistemin arsimor në Maqedoni kemi probleme dhe defekte shumë të mëdha, duke filluar nga tekstet shkollore, kushtet në shkolla, më pas paraqiten më shumë probleme rreth implementimit të programeve mësimore dhe projekteve, të cilat nuk janë të përshtatshme për moshën e fëmijëve. Të gjitha këto reforma duhet të shoshiten mirë dhe për to të hapet një debat i mirëfilltë nga personalitet më kompetente”, thotë Zllatku.

Nga ana tjetër, Gorica Ilioska, e cila punon për më shumë se tri dekada si mësimdhënëse në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se zvogëlimi i lëndëve mësimore, përkatësisht pothuajse përgjysmimi i tyre, në asnjë mënyrë nuk do të thotë se nxënësit do të mësojnë më pak. Sipas saj, ata zbarkohen nga presioni që të sigurojnë nota të larta te më shumë mësimdhënës dhe arrijnë të futen në esencën e mësimeve, të cilat do t’u shërbejnë në jetën e përditshme në të ardhmen.

“Një nga faktorët kryesorë se pse vite me radhë gjendemi në fund të vendeve të Evropës, mos të them të botës sa i përket cilësisë së arsimit, është ajo se në Maqedoni u instalua praktika që fëmijët si detyrim parësor të kenë mësimin për të siguruar notë më të lartë që të shkojë në fakultet dhe të zërë një vend pune në administratë shtetërore”.

“Aspak nuk mbahej llogari për afinitetet e nxënësve, përgatitjen e tyre sipas aftësive për tregun e punës. Me rëndësi të veçantë është dhe fakti se me këto reforma parashihen mjete për laboratorë profesionalë ku nxënësit do të mund të praktikojnë atë që mësojnë. Uroj që kjo mos mbetet në letër”, thotë ajo.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, Nuhi Dardhishta, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ngre shqetësimin se gjatë përpilimit të reformave nga dikasteri i arsimit, fare nuk është konsultuar shoqata që përfaqëson, duke theksuar se reformat duhet të përmbajnë dhe krijimin e kushteve të barabarta si në shkollat maqedonase, ashtu edhe në ato shqipe.

“Kushtet nuk janë të njëjta mes shkollave shqipe dhe atyre maqedonase. Në qytet, në aspektin e objekteve dallimi nuk është aq i madh sa në viset rurale, ku shkollat shqipe janë në gjendje të mjerueshme, ku mungojnë dhe gjërat elementare”.

“Shkollat në gjuhën shqipe, sidomos në komunën më të populluar të Çairit të Shkupit, komuna më e mbi populluar në Evropë me mbi 18 mijë banorë, në një metër katrorë në çdo klasë ka mbi 30 nxënës. Kështu që duhet të zvogëlohet numri i nxënësve, nga një klasë duhet të hapen dy klasë me rreth 20 nxënës ashtu siç është rasti në shkollat maqedonase”, thotë Dardhishta.

Ndryshe nga ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, kanë njoftuar se po shqyrtojnë dhe mundësitë për tërhequr nga sistemi arsimor programet e Kembrixhit, në fakt për rishikuar nëse ky sistem i avancuar i arsimit të përdoret të paktën në disa lëndë apo nivele të caktuara të arsimit.

Lidhja e Odave Ekonomike e Maqedonisë në vazhdimësi ka theksuar se sistemi arsimor jocilësor ka bërë që në Maqedoni pjesa më e madhe e të rinjve, edhe pse të diplomuar, nuk janë konkurrues në tregun e punës për shkak të moskualifikimit në më shumë drejtime të caktuara.