Ne nuk kemi qenë përkthyes në proces, por negociues


Zv/kryeministri për eurointegrime Bujar Osmani ka sqaruar edhe një herë rreth emrit të Maqedonisë “Ilinditë”. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë qenë përkthyes në këtë proces, por negociues dhe formulimi i ri reflekton më së miri përpjekjen e përbashkët maqedono- shqiptare për shtet multietnik për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

“Kam përshtypje se reagimet e atyre që janë shqetësuar se versioni shqip i propozim emrit nuk qenka përkthim preciz i versionit në maqedonisht janë reflektime të një mentaliteti të tejkaluar dhe anakronik se gjithçka zyrtare në këtë vend është maqedonisht, kurse gjithçka shqipe duhet të jetë përkthim. Ne nuk kemi qenë përkthyes në proces, por negociues dhe kemi vlerësuar se ky emër dhe formulim i ri reflekton më së miri përpjekjen e përbashkët maqedono- shqiptare për shtet multietnik të anëtarësuar në NATO dhe BE dhe se i tillë është fonetikisht, gramatikisht dhe politikisht preciz dhe korrekt”, ka shkruar në Fejsbuk, zv/kryeministri Osmani.