Gashi: BESA në bisedime për përfshirje në Qeveri


Kryetari i ri i Besës, krahu i Shkupit, Afrim Gashi nuk përjashton mundësinë e përfshirjes në Qeveri. Ai në emisionin 360 gradë që transmetohet sonte në orën 22 e 30 në Alsat pranon se ka pasur takime me kryeministrin Zaev dhe se në kryesinë e Besës mbisundon qëndrimi se në një situatë që po bëhen përpjekje për anëtarësim në NATO dhe për zgjidhjen e çështjes së emrit ndoshta do duhet të zgjatet dora e bashkëpunimit dhe t’i jepet krah Qeverisë aktuale.

“Po, ka pasur takim me kryeministrin. Negociata ende nuk ka për shkak se është dashur të mbarohet Kongresi jonë do të thotë duhet dikush të ketë barrë dhe përgjegjësi për të marrë vendim të atillë. Kyçja jonë eventuale në Qeveri do të bëhet vetëm si Lëvizje Besa si subjekt politik I joni, negociatat do ti zhvillojmë me kryeministrin. Ne nuk paragjykojmë se kush janë partitë e tjera, aty është edhe BDI-ja sot me të cilën ne kemi shpesh qëndrime diametralisht të kundërta por në kryesinë e deritanishme të Lëvizjes Besa ka mbisunduar qëndrimi se në një moment kyç të këtillë kur Maqedonia po futet në Nato dhe zgjidhet kontesti i emrit ndoshta do duhet edhe ne ta zgjasim dorën e bashkëpunimit dhe ti japim një krah kësaj Qeverie që ta zgjidh këtë çështje”, tha Afrim Gashi, kryetar i Lëvizjes Besa.